Jo vetëm nafta, shtrenjtohen frikshëm zarzavatet dhe ushqimet! Çmimet rriten me mbi 50 për qind

Jo vetëm karburantet. Tanimë rritja e çmimeve është shtrirë dhe në produktet që vijnë nga importi, nga perimet te sheqeri apo dhe vaji.
Në tregjet e kryeqytetit, shtrenjtimi ka kapur nivele gati të frikshme. Mesatarisht çmimet janë rritur thuajse mbi 50 përqind.
“Domatet i marrim shumë shtrenjt, është 340-350 lekë me shumicë, ndërsa para një muaji ishte 200-240 lekë. Specat e importit shkojnë deri në 380-400 lekë, nga 280 lekë që ishin para një muaji”, thotë një tregtare.
“270-300 lekë kilja e domateve, 200 lekë sallata. Çmimi nuk ka ku shkon më lart”, thotë një blerës.
Por, ka dhe raste kur çmimi është gati dyfishuar, si në rastin e domateve të vogla, që të hapura shiteshin pak më shumë se 300 lekë të reja për kilogram ndërsa në vasketa, mes 400 e 450 lekë për kilogram. Sot ato vështirë se gjenden poshtë 700 lekë për kilogram.
Rritja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt te konsumatorët, të cilët po blejnë më pak dhe po shmangin produktet më të shtrenjta.
“300-400 lekë kilja e limonit, janë shtrenjtuar shumë.
Domatja, piperi, janë të shtrenjta.
Me një pension 9 mijë lekë, 350 lekë një kile spec, ca të bësh, 300 lekë një kile domate", thonëe disa blerës.
Rreziku që po nis të shfaqë shenjat e para që tani, është dhe ndikimi i rritjes së çmimeve të karburanteve dhe te produktet vendase.
“Unë i prodhoj vetë dhe i shes në treg. Kam spinaq, hudhra e njomë dhe qepa e njomë.. A ndikon nafta? Po ndikon, kur s’ke makinën tënde detyrohem te paguaj tjetrin për të sjellë mallin këtu. Këtu s'diskutohet se ndikon nafta”, tha një tregtar.
Rritje të çmimeve janë vërejtur dhe te disa produktet ushqimore si sheqeri dhe vaji, por në nivele më të ulëta se sa ato të zarzavateve, me rritje që luhaten mes 15 dhe 20 përqind. Tregtarët thonë se presin shtrenjtim dhe të orizit e miellit.
Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, tha këtë të enjte se institucionet janë duke monitoruar situatën dhe se do të ndërhyhet nëse konstatohet rritje e pajustifikuar e çmimeve.
“Rritja e çmimit të naftës dhe aq më tepër inflacioni që ajo sjell në produktet në një bazë të gjerë kërkon një kohë të caktuar. Të garantojmë transparencën, duke filluar jo vetëm me produktet bazë, por edhe ato si nafta që të mos ketë spekulim në treg”, tha Demo.
Ai nënvizoi se qeveria është e gatshme të ndërmarrë masa për të lehtësuar barrën ekonomike të qytetarëve, përmes mekanizmave si bordet e kontrollit apo institucione të tjera përgjegjëse./Shqiptarja


