Kova me përzierje kimike alarmon policinë e Vlorës, rrethohet zona

Një kovë me përzierje kimike ka alarmuar Policinë e Vlorës, e cila ka vendosur menjëherë perimetrin e sigurisë në zonë. Sipas informacioneve paraprake, ishte ambientalisti Niko Dumani ai që njoftoi autoritetet, pasi konstatoi rrezikun që paraqiste lënda në fjalë.
Sipas Dumanit, bëhet fjalë për një përzierje kimike mes metanit dhe natriumit, e cila ishte ruajtur prej vitesh në banesë me synimin për t’u përdorur për laboratorë shkollorë. Ai deklaron se situata doli jashtë kontrollit, pasi lënda pati kontakt me energjinë dhe ujin, çka shkaktoi flakë dhe rrezik potencial shpërthimi.
Policia, pasi vlerësoi situatën, njoftoi edhe forcat zjarrfikëse dhe kërkoi largimin e personave nga zona për arsye sigurie.
“Kam kryer një përzierje kimike vite më parë me qëllim përdorimin për laboratorë shkollorë. Sot, nga kontakti me ajrin dhe ujin, pashë që situata paraqiste rrezik shpërthimi. Për këtë arsye njoftova menjëherë policinë dhe kërkova që zona të izolohej, pasi kemi të bëjmë me një lëndë të rrezikshme”, është shprehur ambientalisti.
Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe nivelin e rrezikut që ka paraqitur kjo përzierje kimike.


