Kryebashkiaku socialist i Libohovës kundër reformës territoriale: Nuk marr pjesë në procese që cenojnë qytetarët

Kryebashkiaku i Libohovës, Leonard Hide, ka kundërshtuar propozimin e mazhorancës për bashkimin e Bashkisë së Libohovës me Gjirokastrën në kuadër të reformës territoriale, duke u bërë thirrje deputetëve të qarkut të mos e mbështesin projektligjin në Kuvend.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hide u kërkon deputetëve të përdorin mandatin e tyre për të mbrojtur interesat e qytetarëve, duke theksuar se shkrirja e bashkisë do të dëmtonte identitetin dhe përfaqësimin e Libohovës.
“Ju jeni zëri ynë në Kuvendin e Shqipërisë. Vota që mbani në Parlament nuk është vetëm një e drejtë kushtetuese, ajo është besimi i mijëra qytetarëve që ju zgjodhën për t’i përfaqësuar dhe për t’i mbrojtur kur preken interesat e tyre.
Prandaj ju bëj thirrje të përdorni çdo mundësi parlamentare dhe politike për të mbrojtur të drejtën e Libohovës për të vazhduar të ekzistojë si bashki. Nëse kjo çështje vjen për votim në Kuvend, ju kërkoj të jeni në lartësinë e mandatit që ju është besuar dhe të mbroni me bindje interesin e komunitetit që përfaqësoni”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku deklaron se nuk do të jetë pjesë e asnjë takimi apo procesi që, sipas tij, nuk mbron qartë të drejtat dhe interesat e Libohovës, deri në një sqarim përfundimtar mbi fatin e bashkisë.
“Libohova nuk kërkon privilegje. Kërkon drejtësi, përfaqësim dhe respekt për historinë, identitetin dhe të ardhmen e saj”, shprehet Hide, ndërsa thekson se do të jetë pjesë vetëm e nismave që mbrojnë interesat e komunitetit që përfaqëson.
REAGIMI I PLOTE:
Të nderuar deputetë të qarkut, të zgjedhur me votën e qytetarëve që përfaqësoni,
Sot nuk ju drejtohem për interes politik, por për përgjegjësinë që buron nga besimi që qytetarët kanë vendosur mbi ju.
Libohova ndodhet përballë një rreziku real. Nëse kjo reformë do të çojë në shkrirjen e Bashkisë sonë, atëherë momenti për të vepruar është tani, jo pasi vendimi të jetë marrë.
Ju jeni zëri ynë në Kuvendin e Shqipërisë. Vota që mbani në Parlament nuk është vetëm një e drejtë kushtetuese, ajo është besimi i mijëra qytetarëve që ju zgjodhën për t’i përfaqësuar dhe për t’i mbrojtur kur preken interesat e tyre.
Prandaj ju bëj thirrje të përdorni çdo mundësi parlamentare dhe politike për të mbrojtur të drejtën e Libohovës për të vazhduar të ekzistojë si bashki. Nëse kjo çështje vjen për votim në Kuvend, ju kërkoj të jeni në lartësinë e mandatit që ju është besuar dhe të mbroni me bindje interesin e komunitetit që përfaqësoni.
Historia nuk i kujton ata që heshtën në momentet vendimtare, por ata që patën guximin të ngriheshin në mbrojtje të qytetarëve të tyre. Sot keni mundësinë të dëshmoni se vota e qytetarëve nuk ishte thjesht një mandat për të qenë në Parlament, por një përgjegjësi për të qenë në krah të tyre kur e ardhmja e vendit të tyre vihet në rrezik.
Libohova nuk kërkon privilegje. Kërkon drejtësi, përfaqësim dhe respekt për historinë, identitetin dhe të ardhmen e saj.
Qëndrimi im personal është ky.
Sot zgjedh të jem në krah të qytetarëve të mi, ashtu siç kam qenë gjithmonë. Ky nuk është një qëndrim i diktuar nga rrethanat, por një parim që më ka udhëhequr në çdo hap të rrugëtimit tim. Nuk mund të jem askund tjetër veçse pranë njerëzve që më kanë besuar dhe pranë vendit që më ka rritur.
Për këtë arsye, deklaroj se, deri në sqarimin përfundimtar të fatit të Bashkisë Libohovë, nuk do të jem pjesë e asnjë takimi apo procesi ku nuk mbrohen qartë të drejtat dhe interesat legjitime të Libohovës dhe të komunitetit të saj. Prania ime nuk mund të shërbejë për të legjitimuar heshtjen përballë një padrejtësie që rrezikon të ardhmen e vendit tim.
Do të jem në çdo tryezë ku mbrohet zëri i Libohovës dhe ku kërkohen zgjidhje në interes të saj. Sot, si gjithmonë, zgjedh të jem në krah të qytetarëve të mi, sepse mbiemri ynë i dytë është LIBOHOVA


