Minatorët në protestë pas rrëzimit të “Statusit” në Kuvend, kërkojnë paga dinjitoze dhe pension të parakohshëm

Aktualitet

Minatorët në protestë pas rrëzimit të

Vetëm pak ditë pasi mazhoranca rrëzoi me 74 vota kundër projektligjin e dorëzuar nga opozita “Për Statusin e Minatorit”, minatorët dolën në protestë para Kryeministrisë.

Sindikatat e minatorëve, të zhgënjyer nga vendimmarrja e Kuvendit, kujtojnë premtimin që kanë marrë prej vitesh nga qeveria dhe statusin që ende nuk është bërë realitet.

“Kemi 35 vjet që protestojmë, por ne trokasim në derën e shurdhit sepse politika jonë 35-vjeçare është një politikë e shurdhër. Ne kërkojmë statusin pa frikë e turp”, tha ish-minatori Qani Shino.

Minatorët kanë dorëzuar edhe një shkresë zyrtare në Kryeministri dhe paralajmërojnë se nuk do të ndalen në kërkesat për të drejtat e tyre. 

“Ne do ta mbrojmë me jetët tona! Statusi do të merret se s’bën!”, tha ish-minatori Kadri Disha.

Vjeshta e vitit të kaluar ishte një periudhë protestash të shumta të minatorëve, sidomos të atyre në minierën e Spaçit, por edhe në qytete të tjera.

Në tetor 2024, një draft ligjor për Statusin e Minatorit, u depozitua në Kuvend nga Partia Demokratike. Projektligji parashikonte që paga e minatorëve të ishte jo më pak se dyfishi i pagës minimale, ndërsa e drejta për pension të parakohshëm të niste pas 25 viteve punë në minierë. Gjithashtu, për rastet e humbjes së jetës në aksident, familjarët do të përfitonin 50% të pagës mujore, si dhe bursa shkollimi për fëmijët.

Projektligji parashikonte gjithashtu trajtim mjekësor falas, dëmshpërblim për aksidentet në punë dhe mbulim të kostove për rikuperimin e dëmeve fizike.

Por mazhoranca i tha jo draftit me argumentimin se nuk sillte përfitime të mëdha për minatorët nga trajtimi aktual që ata kanë me ligj, ndërsa barra për buxhetin e shtetit do të ishte shumë e madhe./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT