"Na turpëron të gjithëve"/ Drejtori Skënder Hita: Policia u shfaq e fjetur, nuk reagoi për dhunën në Zvërnec

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka prezantuar këtë të hënë drejtuesin e ri të komanduar të Policisë së Vlorës, Edvin Ndreun, i cili do të marrë përsipër drejtimin e strukturave policore në qark dhe procesin e riorganizimit të tyre.
Gjatë fjalës së tij, Hita u ndal te ngjarjet e ndodhura së fundmi në Zvërnec, duke theksuar se reagimi i policisë në atë rast ka qenë i papranueshëm. Sipas tij, pikërisht këto probleme çuan në largimin nga detyra të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës.
Kreu i Policisë së Shtetit tha se institucioni dështoi të menaxhonte siç duhet tubimin e 30 majit, ndërsa kritikoi edhe informacionin e pasaktë që u përcoll në publik lidhur me incidentin ku një qytetar u mor me forcë dhe u dhunua nga punonjës të sigurisë private në një kantier ndërtimi.
Ai kërkoi nga drejtuesit dhe efektivët e Policisë së Vlorës më shumë profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe transparencë në raport me qytetarët. Sipas Hitas, ngjarjet e fundit treguan mangësi serioze në reagimin e strukturave vendore, të cilat nuk arritën të parandalonin në kohë aktin e dhunës dhe as të identifikonin menjëherë autorët e përfshirë.
“Policia duhet të jetë në lartësinë e detyrës dhe në shërbim të qytetarëve. Ajo që ndodhi në Zvërnec nuk duhet të përsëritet më. Reagimi i vonuar dhe mungesa e veprimit në kohën e duhur kanë dëmtuar besimin e publikut dhe kanë cenuar imazhin e institucionit”, u shpreh Hita.


