“Nuk e mendova dy herë, u hodha direkt…”/ Flasin policët që shpëtuan gruan në lumin Buna: Si skenë filmi…

Erixhon Senko dhe Francesko Hoxha janë dy policët që u kthyen në heronj, pasi shpëtuan një grua e cila u hodh në lumin Buna, në tentativë për të kryer vetëvrasje. Në “Shqipëria Live”, ata kanë treguar si e përjetuan ngjarjen, duke u shprehur se lajmi i mirë është fakti që gruaja tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
“Nga momenti që mora njoftimin, u nisëm direkt për tek vendi i ngjarjes. Nuk e kam menduar dy herë dhe sapo e pashë gruan në ujë jam hedhur menjëherë për ta shpëtuar. Ajo ishte në gjendje shoku, jo në gjendje të mirë. Kishte pak vështirësi por fatmirësisht arrita ta shpëtoja. Sapo iu afrova i thashë ‘do t të shpëtoj mos u shqetëso dhe asaj në atë moment i ka rënë të fikët”,- tha Erixhon Senko.
“Për mua ishte si skenë filmi. Pasi morëm njoftimin shkuam në vendngjarje dhe pamë që gruaja ishte në lumë. Njoftuam emergjencat që të vinin sa më parë, ndërkohë kolegu u hodh direkt. Pasi gruaja u nxor në breg, jam afruar për të dhënë ndihmën. Gruaja ishte në gjendje shoku dhe ishte disi e përhumbur pasi kishte qëndruar gjatë në lumë dhe ishte marrë nga rrjedha. Ajo i kishte humbur shpresat për të shpëtuar. Lajmi i mirë është që tashmë ka shpëtuar”-, Francesko Hoxha.


