"Më kërkohet të mos vras..."/ Berisha zbulon bisedën me Salianjin: Ja si nisi konflikti kur ai ishte në burg

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sot në lidhje me konfliktin e nisur mes tij dhe ish-deputetit Ervin Salianji.
Në një konferencë për mediat, Berisha ka zbuluar një episod nga një bisedë me ish-deputetin, gjatë kohës kur ky i fundit ndodhej në burg. Sipas Berishës, Salianji i kishte kërkuar një mendim në lidhje me një kërkesë që, sipas tij, i ishte bërë nga autoritetet për të firmosur një deklaratë, që të mos “vrasë” Fatmir Xhafajn. Në këtë kontekst, Berisha deklaroi se e kishte këshilluar të mos e firmoste një dokument të tillë.
“Një ditë më vjen nga burgu në zyrë dhe më thotë ‘erdha të të marr një mendim’. Çfarë mendimi i them? E prita mirë, sigurisht se kemi bërë gjithçka që ta cilësonim të burgosur politik dhe e ka merituar. Më thotë, ‘më kanë ngelur edhe tre muaj burg. Për të dalë më takon të dal sipas ligjit, por më kërkohet nga unë një deklaratë ku të garantoj se nuk do të ‘vras’ Fatmir Xhafën.
Kush ta kërkon? Ma kërkon gjykata për të firmosur dhe drejtoria e burgut. I them unë që ‘ti je i burgosur politik dhe s’ke punë me Xhafën’. Ti i them unë ‘meqë po më pyet unë po të këshilloj që një deklaratë të tillë të mos e bësh, sepse ti merr fajësi në këtë mes’. Të thuash që unë nuk kam ndërmend të ‘vras’ Fatmir Xhafën do të thotë që Fatmir Xhafa të burgosi se ti e ke kërcënuar. Kjo është e vërteta.
Ai ishte në burg dhe unë nuk mund të merrja përsipër ti thoja më shumë se kaq. Por këshilla ime i thashë është që të mos e firmosni se kjo të fajëson se ti je i ri dhe ke karrierë përpara. Iku, doli erdhi. Ca bërë me atë? Jo tha nuk ma kërkuan…tani të tjerat lexojini vetë”-, tha Berisha.


