Pastronte para, arrestohet 67-vjeçari në Berat, i sekuestrohen mbi 50 mijë euro, paund e dollarë

Një 67-vjeçar është arrestuar në Berat gjatë operacionit policor të koduar “Produkti”, i zhvilluar nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare. Ai dyshohet për përfshirje në pastrimin e produkteve të veprës penale.
Gjatë kontrolleve në automjetin dhe banesën e tij, Policia sekuestroi 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe një automjet dhe një telefon celular, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të paligjshme.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
Berat
Goditet një rast i dyshuar i pastrimit të produkteve të veprës penale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Produkti”.
Sekuestrohen 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular.
Arrestohet 67-vjeçari që posedonte këto shuma monetare.
Si rezultat i një pune hetimore të kryer mbi bazën e informacioneve të siguruara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Berat finalizuan operacionin policor të koduar “Produkti”, në kuadër të të cilit u godit një rast i dyshuar në fushën e pastrimit të produkteve të veprës penale.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. K., 67 vjeç, banues në Berat.
Nga kontrollet e ushtruara nga shërbimet e Policisë, në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 54 890 euro, 2020 paund, 1850 dollarë dhe 2850 franga, shuma monetare që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme, si dhe 1 automjet dhe 1 aparat celular.
Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.


