Të shtëna me armë në Shkodër gjatë operacionit policor, pasagjeri qëllon nga makina, arrestohet shoferi

Aktualitet

Të shtëna me armë në Shkodër gjatë operacionit

Një ndjekje policore është regjistruar pasditen e sotme në Shkodër, pasi një automjet me dy persona në bord nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar.

Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti me qëllim kryerjen e kontrolleve. Por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme në rrugë.

Për këtë arsye, efektivët i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në mjet ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka arritur të kapë drejtuesin e automjetit, ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur për momentin për shkak të konfidencialitetit të hetimeve.

Ndërkohë, vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit që dyshohet se ka qëlluar me armë.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

 

 

 

ME TE LEXUARAT