Perimet po shiten 6 herë më të shtrenjta se çmimi i importit, Braçe: Me perimet dhe plehrat kimike po abuzohet

Tregtarët e perimeve dhe ata të plehrave kimike po abuzojnë masivisht me çmimet e produkteve, nën pretekstin se po ndikon lufta.
Deputeti i PS-së Erion Braçe me listën e çmimeve të importit, denoncon me shifra nga foltorja e Kuvendit se vetëm ‘domatet’ u shitën në treg, 6-herë më shtrenjtë sesa ishte çmimi me të cilin ishin importuar. Braçe e quan këtë një abuzim skandaloz në një treg që sipas tij nuk qarkullon faturë fiskale.
Domatja produkti i konsideruar ‘luks’ për shkak se çmimi i saj kapërceu 400 lekë për kilogramë në muajin mars apo deri 750 lekë një kilogramë domatini, janë importuar me çmim 6-herë më lirë jashtë vendit.
“Janë diku te 2500 ton në harkun janar-mars, por çmimet që janë importuar dhe zhdoganuar të habisin. Numrat janë 5-6 herë më të lira sesa qytetarët kanë blerë në treg produktin domate”, thotë Braçe.
Duke renditur listën me cmimet e importit për kilogramë në tremujorin e parë të vitit, Brace e quan një abuzim skandaloz në një treg që sipas tij nuk qarkullon faturë fiskale.
Një kilogramë domate gjatë tremujorit të parë të vitit janë importuar me 56 lekë nga Greqia, 59 lekë nga Italia, 64 lekë nga Turqia dhe 274 lekë nga Serbia. Ndërsa çmimi më i lartë me të cilin janë importuar domatinit ka qenë 311 lekë/kg.
Edhe më i madh është abuzimi me çmimin e plehrave kimike thotë deputeti i PS-së Erion Braçe nga foltorja e Kuvendit.
“Me plehrat kimik po ndodh një abuzim shumë i madh, çmimet me të cilat janë importuar 40% më të lira sesa çmimi që u vërejt në treg”, tha Braçe.
Në këto kushte zgjidhje nuk është vetëm kontrolli për të ndalur abuzimet por edhe shtimi i financimit për sektorin që është përballur me 2 faza përmbytjesh.
“Prodhimi bujqësor duhet mbështetur tani ndryshe në korrik-shtator do të vazhdojmë të importojmë. Duhet të ndalet abuzimi me çmimet e perimeve dhe frutave. Edhe në kushtet e importit abuzimi është skandaloz dhe për fat të keq prodhimi vendas i ndjek të gjithë me radhë, edhe se është më i pakët, edhe se ka kushtuar më shumë për shkak të përmbytjeve edhe për shkak të mbrojtësve kimikë”, thotë deputeti i PS.
Aktualisht nga Ministria e Ekonomisë po monitorohen çmimet e 80 produkteve ushqimore, por pa ndërhyrë me masa konkrete në treg. Ndërsa për plehrat kimike, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut për të verifikuar nëse është abuzuar me çmimet e dapit, nitratit apo uresë.


