Reagon ministri / Pezullohen dy oficerët e Ushtrisë që morën pjesë në përplasjen mes biznesmenëve në Vlorë (EMRAT)

Aktualitet

Reagon ministri / Pezullohen dy oficerët e Ushtrisë që morën

VLORË- Dy efektivë të Policisë Ushtarake rezulton se kanë qenë në Regina Palm Resort gjatë përplasjes mes dy biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj. Ende nuk dihet nëse ata kanë qenë mes personave që ishin të armatosur dhe që rrethuan biznesmenin Bedinaj, por ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi thotë se dy efektivët e Policisë Ushtarake kanë qenë jashtë shërbimit. Deri në përfundimin e verifikimeve për rolin e tyre, ata janë pezulluar nga detyra. 

Reagimi i plotë i Ermal Nufit

“Në lidhje me raportimet e disa portaleve për përfshirjen e dy efektivëve të Policisë Ushtarake në ngjarjen e ndodhur dje në Vlorë, e konsideroj të nevojshme të sqaroj opinionin publik se këta persona nuk janë truproja apo badigardë personalë.

Ata janë pjesë e Policisë Ushtarake, strukturë e Forcave të Armatosura me detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara me ligj.

Efektivët e dyshuar janë pjesë e Policisë Ushtarake që nga viti 2006 dhe, në periudha të ndryshme prej vitit 2018, ata kanë kryer edhe detyra të sigurisë, mbrojtjes dhe shoqërimit institucional të Ministrit të Mbrojtjes, por kjo nuk i bën ata punonjës personalë të ministrit dhe, aq më pak, nuk i lidh veprimet e tyre individuale me institucionin apo me ministrin.

Dua të theksoj gjithashtu se asnjëri prej dy efektivëve nuk ka qenë në shërbim ditën e ngjarjes në Vlorë.

Për rrjedhojë, çdo veprim i tyre në këtë ngjarje, nëse konfirmohet nga organet kompetente, është veprim individual dhe jashtë detyrës institucionale.

Ministria e Mbrojtjes distancohet qartësisht nga çdo veprim i paligjshëm dhe respekton plotësisht hetimin e organeve ligjzbatuese.

Përgjegjësia individuale dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm nga autoritetet kompetente, në përputhje me ligjin.

Deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes mbetet e vendosur për respektimin e ligjit, disiplinës dhe integritetit profesional nga çdo efektiv dhe punonjës i strukturave të saj. Uniforma, autoriteti dhe detyra shtetërore nuk mund të përdoren për qëllime personale apo jashtë kuadrit ligjor.

Çdo shkelje e konstatuar do të trajtohet me seriozitetin e duhur dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.”

ME TE LEXUARAT