Protestë në Vlorë, shënohet përplasje mes qytetarëve dhe policisë

Aktualitet

Protestë në Vlorë, shënohet përplasje mes
Dhjetëra qytetarë janë mbledhur përpara zonës ku po ndërtohet Muzeu Hebraik në Vlorë, duke protestuar dhe kundërshtuar vijimin e punimeve për ngritjen e tij në këtë vend.

Sipas protestuesve, kjo zonë mbart një rëndësi të veçantë për historinë kombëtare shqiptare, pasi, sipas tyre, lidhet me Ismail Qemalin dhe firmëtarët e Pavarësisë, ndaj kërkojnë që hapësira t’i kushtohet historisë dhe identitetit kombëtar.

Qytetarët protestues shprehen se ndërtimi i Muzeut Hebraik pikërisht në këtë vend cenon, sipas tyre, simbolikën historike të zonës dhe unitetin kombëtar. Disa prej tyre e konsiderojnë projektin një “vulë turpi”, duke pretenduar se ai zbeh historinë e vendit.
 
Nga ana tjetër, protestuesit theksojnë se kundërshtimi i tyre nuk lidhet me historinë e komunitetit hebre. Ata kujtojnë se shqiptarët kanë treguar solidaritet duke strehuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Holokaustit, por kërkojnë që një muze kushtuar kësaj historie të ndërtohet në një tjetër hapësirë.

Në vendin ku po zhvillohen aktualisht punimet, qytetarët propozojnë ngritjen e një muzeu që, sipas tyre, duhet t’i kushtohet historisë, kulturës dhe figurave të rëndësishme të kombit shqiptar.

Protestuesit kërkojnë pezullimin e punimeve dhe rishikimin e vendndodhjes së Muzeut Hebraik.

ME TE LEXUARAT