Të shtënat trondisin Tiranën/ Plagoset një person, autori arratiset dhe shpallet në kërkim

Një konflikt për motive të dobëta në orët e para të mëngjesit në zonën e rrugës “Selaudin Zorba” ka vënë në lëvizje Policinë e Tiranës.
Autoritetet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim një 45-vjeçar, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, duke lënë gjithashtu një person të dëmtuar lehtë në afërsi të vendngjarjes.
“Tiranë. Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 45-vjeçar, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, ku mbeti i dëmtuar lehtë një shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se rreth orës 03:30, në rrugën “Selaudin Zorba”, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe autorësinë e rastit.
Si rezultat i veprimeve të para hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. Xh., 45 vjeç, i cili u shpall në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
45-vjeçari, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Si pasojë në afërsi të vendit të ngjarjes ndodhej shtetasi M. G., 37 vjeç, i cili ka mbetur i dëmtuar lehtë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.


