Reuters: Lumi Drin shpëton Shqipërinë nga kriza globale

Shqipëria shihet si një rast i veçantë në Evropë për mënyrën se si ka arritur të përballojë krizën globale të energjisë, falë varësisë së lartë nga burimet e rinovueshme, kryesisht hidrocentralet.
Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, rreth 90% e prodhimit vendas të energjisë vjen nga hidrocentralet, ndërsa pjesa tjetër nga impiantet fotovoltaike, çka e ka bërë vendin më pak të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve të gazit dhe qymyrit në tregjet ndërkombëtare.
Ekspertë të energjisë theksojnë se kjo strukturë prodhimi ka ndihmuar Shqipërinë të shmangë goditjet më të rënda që kanë prekur vende të tjera evropiane gjatë krizave të fundit energjetike.
Megjithatë, ata paralajmërojnë se varësia e madhe nga kushtet klimatike mbetet një rrezik, sidomos në periudha thatësire.
Në të njëjtën linjë, autoritetet shqiptare theksojnë se strategjia e energjisë së rinovueshme ka rritur sigurinë e furnizimit dhe ka ndihmuar në uljen e kostove afatgjata, por njëkohësisht kërkon investime të mëtejshme për të garantuar stabilitetin e sistemit.
Ndërkohë, projekte si impiantet lundruese në Vlorë kanë ngjallur debat publik për kostot dhe ndikimin mjedisor, duke treguar se tranzicioni energjetik mbetet një proces kompleks dhe i diskutueshëm në vend.


