Sekuestrohet makina luksoze me vlerë 140 mijë euro, dyshohet se ishte vjedhur në Gjermani! U shit në Shqipëria nga…

Policia e Tiranës ka sekuestruar 1 automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 000 euro, i dyshuar i vjedhur në Gjermani.
Si pasojë procedohet penalisht blerësi i automjetit të trafikuar, njëkohësisht drejtues i tij, në momentin e ndalimit në Vorë.
Sipas njoftimit zyrtar, është identifikuar dhe është shpallur në kërkim shtetasi kosovar që dyshohet se ka trafikuar këtë automjet, në Shqipëri.
Në kuadër të operacionit “Stolen line”, numri i automjeteve të sekuestruara që nga nisja, ka shkuar në pesë.
“Si rezultat i punës hetimore, të kryer në kuadër të operacionit “Stolen line”, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit në Shqipëri, të automjeteve luksoze, të vjedhura jashtë shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme konstatuan një tjetër rast në këtë fushë.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua 1 automjet tip “BMW M-8”, me vlerë rreth 140 000 euro, i cili nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Gjermani.
Në lidhje me këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi që dyshohet se ka sjellë automjetin në Shqipëri, me qëllim shitjen, F. H., 42 vjeç (shtetas kosovar), si dhe u procedua penalisht blerësi i automjetit (njëkohësisht drejtues i automjetit, në momentin e ndalimit), shtetasi E. D., 39 vjeç.
Punohet për kapjen e 42-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, njofton policia.


