"Bankat 100% digjitale: një revolucion që po nis edhe në Shqipëri!"

Nga Selami Xhepa
Bankat moderne, që nisën të paktën me familjen Medici në Firence dhe bankat gjenoveze e veneciane, që në shekujt 14 dhe 15, janë simbolizuar me ndërtesat më moderne dhe që zbukuronin qytetet, kudo ku ato vendoseshin. Edhe sot ndërtesat, ku janë vendosur dhe kryejnë aktivitet bankat e mëdha, vazhojnë të jenë simbolet arkitekturore të qyteteve europiane dhe botërore.
Zhvillimet teknologjike nisën t’ i ndihmojnë bankat, që të përsosnin modelet e tyre të biznesit, të rrisnin eficiencën e tyre operacionale, duke ofruar shërbime më të mira dhe më të lira për klientët, duke rritur njëherësh fitimet e tyre.
Nëse gërmojmë pak në evolucionin teknologjik në sistemin bankar, sistemet elektronike të përpunimit të transaksioneve bankare dhe shërbimit të klientëve fillojnë që në fundin e viteve 1960 me shpikjen e Makinave të Automatizuara të Shërbimit (ATM), që i mundësonin klientëve kryerjen e shërbimeve bankare, si tërheqje paraje dhe kontroll i gjendjes së llogarisë, pa qenë nevoja të shkojnë në një zyrë banke.
Nga fundi i viteve 1980 shërbimet bankare përmes telefonit mundësonin që klientët të kryenin edhe transfertat dhe të kontrollonin gjendjen e llogarisë përmes telefonit (telephone banking). Por, me fillimin e viteve 1990 starton një epokë e re në përdorimin e teknologjisë në sistemin bankar, epoka e bankingut digjital, që nis me lindjen e internetit. Bankingu online shfaqet si një alternativë ndaj ofrimit të shërbimit bankar tradicional përmes degëve të bankave.
Sa më shumë që sistemet e internetit fuqizoheshin dhe zgjeroheshin, aq më shumë zgjerohej dhe bankingu online në kryerjen e shërbimeve. Revolucioni i vërtetë në industrinë bankare nis në vitet 2000. Shekulli i 21 po dëshmon një valë të paprecedentë inovacionesh në bankingun mobile.
Nëse më parë kryerja e shërbimeve bankare kërkonte një kompjuter të lidhur me internet, tani përmes një telefoni mobil smart, dhe instalimit të një aplikacioni, mundësohet jo vetëm kryerja e pagesave dhe kontrolli llogarive, por edhe shërbime të asistencës për menaxhimin më të mirë të financave personale: kujtesë për pagim të detyrimeve të maturuara, kontrollin online në kohë reale të shpenzimeve, etj. Me përparimin e teknologjisë, bankat kanë shtuar platforma online edhe për aplikim për kredi, për gjurmimin e investimit, dhe shërbimet e pagimit të faturave. Sot në Europë, 78% e transaksioneve kryhen online; në SHBA, 85% dhe në Azi-Pacifik, 92%. Nëse viziton një bankë në vendet e zhvilluara, nuk mund të kontaktosh me bankier personal - siç ishte bankingu tradicional - por shërbimet i kryen përmes ekraneve, që janë të instaluar kudo në qytete.
Bankingu online është shndërruar në formën standarte të shërbimit, prej më shumë se një dekade tashmë. Futja e teknologjive të blockchain dhe kriptomonedhave, i ka dhënë bankingut digjital një tjetër dimension. Monedhat digjitale janë shfaqur si monedhë alternative ndaj monedhave zyrtare dhe bashkë me sistemin e decentralizuar të llogarive (databaza digjitale që ndahet mes shumë kompjuterash të vendosur në rrjet), ato mundësojnë transaksionet midis personave drejtpërdrejt, pa qenë nevoja e përdorimit të ndërmjetësve.
Integrimi i inteligjencës artificiale (AI) në bankingun digjital, mundëson ofrim të shërbimeve të personalizuara, dedektimin e mashtrimeve dhe sinjalizimin e klientit të bankës për raste të tilla, ndërsa bankat kanë mundësi të rrisin eficiencën e tyre në ofrimin e shërbimeve, të reduktojnë kostot dhe rrisin fitimet. Teknikat e reja të menaxhimit të rriskut janë përmirësuar në saj të përdorimit të algoritmeve që mbështeten në machine learning dhe bazë të dhënash me profilet e rriskut të huamarrësve.
Me pak fjalë, inovacioni teknologjik sot ka transformuar në mënyrë rrënjësore biznesin e industrisë bankare, duke e bërë bankën pothuaj krejtësisht virtuale për klientin. Në raportin e stabilitetit financiar të Bankës Qendrore Europiane të botuar në maj 2025, shënohet se deri në fund të vitit 2024, 60 banka në eurozonë tashmë janë tërësisht digjitale, ku vetëm 7 prej tyre janë degë të bankave tradicionale, ndërsa të tjerat janë banka krejtësisht të reja. (Garcia et al, 2025).
Pesha e tregut të tyre akoma mbetet e ulët, 3,9% në vitin 2024, por ritmi i rritjes është impresionues. Banka më e hershme tërësisht digitale gjermane, për shembull, u themelua në vitin 2013 nga dy sipërmarrës, ndërsa sot është shndërruar në një nga bankat më të mëdha të fintech. A ka rreziqe ky lloji i ri i bankimi që po lind dhe po përhapet me shpejtësi në gjithë botën? Çdo revolucion në një industri kudoqoftë, padyshim që sjell sfida, pasi e trondit sistemin ekzistues.
Bankat tradicionale duhet të investojnë shumë që të transformohen për t’ju përshtatur realitetit të ri. Kjo ka ndodhur më së pari në industritë e telekomunikacioneve dhe duhet të shërbejë si model sjelljeje për bankat. Nëse kompanitë e dikurshme të telefonisë fikse (si Albetelkom) nuk do të kishin investuar në ofrimin e shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar (si shërbimi internetit, telefoni mobile), sot nuk do të ekzistonin. Për momentin, klientela bazë e këtyre bankave janë të rinjtë dhe të pasionuarit pas teknologjive të reja. Studimet tregojnë se baza kryesore e depozitave janë depozituesit me pakicë. Por historia e suksesit të pazakontë të M-PESA që nisi në Kenya në vitin 2007dhe u përhap me shpejtësi në shumë shtete të Afrikës, dëshmon se individët mund të adoptohen shpejt me përdorimin e teknologjive të reja.
Për më tepër, aplikacionet e tanishme ndërtohen të thjeshta në përdorim (user friendly) duke lehtësuar përdorimin për të gjitha grupmoshat. Një çështje tjetër është ajo e sigurisë së sistemeve digjitale. Integrimi i teknologjive të përparuara, si autentifikimi biometrik (me shenjat e gishtit ose fytyrës) dhe autentifikimi me dy faza, përmirësimi i vazhdueshëm i protokolleve të sigurisë, janë një sfidë që në fakt cënon edhe bankat tradicionale.
Sulmet kibernetike kanë qenë një konstante jo vetëm për bankat por edhe për sistemet e tjera digjitale. Rritja e sistemeve të sigurisë është një betejë perpetum dhe që me sofistikimin e teknologjive të ardhshme, gjasat janë që ato do të bëhen gjithnjë e më të sigurta. Edhe privatësia dhe ruajtja e të dhënave personale paraqet sfida. Kuadri rregullator i bankave qendrore duhet të sigurojë plotësimin e standardeve europiane në këtë fushë. Në fakt, sfida serioze e këtij lloji revolucionar të bankingut është reformimi i sistemit rregullator e mbikëqyrës, por kjo është një çështje që bankat qendrore kanë nisur të punojnë.
Shqipëria që është në procesin e përafrimit të legjislacionit edhe në fushën e shërbimeve bankare, duhet të adoptojë direktivat Europiane në këtë fushë, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e sistemit financiar, duke nxitur inovacionin edhe në tregun financiar të vendit. Hyrja e Jet Bank në Shqipëri, banka e parë që do të jetë 100% digjitale, mendoj se shënon një moment shumë interesant për sektorin financiar të vendit.
Do të jetë një sfidë si për vetë bankën në krijimin e një kulture të re financiare për shoqërinë, ashtu dhe për presionin pozitiv që do të ushtrojë në nxitjen e inovacionit në të gjithë industrinë në tërësi. Duket se së bashku me anëtarësimin e vendit në SEPA, ky është lajmi tjetër interesant financiar i vitit 2025!


