Festa e PS së Tiranës, ja kush janë socialistët që i kthyen shpinën Ramës

Politikë

Festa e PS së Tiranës, ja kush janë socialistët që i

Situata në Partinë Socialiste nuk duket aspak e qetë, edhe pse Kryeministri Edi Rama nuk nguron në asnjë moment tu kujtojë jo vetëm të tijëve, por edhe më gjerë, se mazhoranca që drejton ka plot 83 mandate deputetësh. Dhe duket se me shifrën e mandateve që përmend, Kryeministri synon të tregojë forcën që ka, veçanërisht në sallën e Kuvendit.

Por disa detaje, në dukje të parëndësishme, tregojnë se disa nga ata që konsiderohen si ‘senatorë’ në rradhët e socialistëve, disa me mandat deputeti, dhe të tjerë, pa arritur të fitojnë një të tillë në 11 maj, po tregojnë gjithmonë e më shumë një distancim nga Edi Rama.

Pas festës së organizuar nga socialistët në Berat, ku disa nga figurat e PS-së nuk preferuan të marrin pjesë, një tjetër festë, me rastin e festave të fundvitit ka evidentuar të njëjtën gjë.

Këtë rradhë festa ishte e socialistëve të Tiranës, që mbrëmjen e së hënës, u mblodhën në Pallatin e Brigadave, nën shoqërinë e Kryeministrit për të uruar njëri-tjetrin, për festat e fundvitit.

Referuar raportimeve festës së socialistëve nuk iu bashkuan disa nga emrat, që pavarësisht peshës politike, qoftë në kohën kur PS drejtohej nga i ndjeri, Fatos Nano, ashtu edhe nën drejtimin e Edi Ramës, kanë mbajtur pozicione specifike.

Ndër emrat e njohur që raportohet se nuk ishin prezent përfshihen ish-Kryeministri Pandeli Majko, që në 11 maj, humbi garën për të marrë një mandat deputeti, pasi përfshihej në listat e hapura të socialistëve të Tiranës. Po kështu mungonin edhe ish-deputetet Mimi Kodheli dhe Ermonela Felaj, që në 11 maj nuk arritën të merrnin mandatin e ligjvënëses.

Arben Pëllumbi, ish-Sekretari Organizativ i PS-së, që gjithashtu mbeti jashtë Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, po kështu raportohet se nuk iu bashkua festës së fundvitit të socialistëve të Tiranës.

Të paktën dy nga deputetët aktualë të PS-së, Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe, gjithashtu nuk ishin pjesë e festës.

Por, festimeve nuk i kanë munguar ministrat, por edhe Ogerta Manastirliu, që Edi Rama e ka piketuar si kandidate për Bashkinë e Tiranës, dhe bëri çmos që ajo të pasonte Erion Veliajn, por vrulli i Kryeministrit u ndal nga Gjykata Kushtetuese, që nuk legjitimoi shkarkimin e Kryebashkiakut.

Madje edhe në videon e postuar nga Kryeministri Edi Rama, ky i fundit teksa hyn në sallën ku do të mbahej festa, pritet nga Ogerta Manastirliu.

“Me mirënjohje për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste dhe me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël të secilës dhe secilit prej jush”, shkruan Rama në një koment që shoqëron videon, ku shfaqen pamje nga festa.

Nuk dihet nëse mungesat në festën e socialistëve të Tiranës janë vendim i disa prej emrave që dikur shfaqeshin si të besuarit e Ramës, apo ata janë ‘harruar’ nga organizatorët e festës.

 

ME TE LEXUARAT