Shkodër/ Policia Rrugore në aksion, 2227 masa për shkelje të Kodit Rrugor në dy javë
Policia Rrugore e Shkodrës është angazhuar në mënyrë intensive në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke punuar 24 orë në ditë për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve është në rritje.
Në dy javët e fundit, përmes kontrolleve të shpeshta me mjete të logjistikës moderne, janë arrestuar 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 12 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht për drejtim të parregullt të automjeteve.
Gjithashtu, janë vendosur gjithsej 2227 masa administrative për shkelje të ndryshme, duke përfshirë:
• 703 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar,
• 688 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor,
• 333 për parakalime të gabuara,
• 153 për mosvendosje të rripit të sigurimit,
• 131 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse,
• 124 për mosdhënie përparësie këmbësorëve,
• 43 për përdorim të celularit gjatë drejtimit,
• 40 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit,
• 12 për përdorim të xhamave të errësuar.
Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, parakalimet e gabuara dhe drejtimin nën ndikimin e alkoolit, ndërsa njofton se kontrollet do të vazhdojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale.