Shqipëria në efekt zinxhir/ Lufta në Iran pritet të rrisë çmimet dhe të vonojë mallrat

Përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit dhe Izraelit po krijon pasoja të drejtpërdrejta në transportin detar global, ndërsa efektet pritet të ndihen gradualisht edhe në ekonominë shqiptare përmes rritjes së kostove të importit dhe vonesave në furnizime.
Kriza në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, ka sjellë rritje të fortë të çmimit të karburantit që përdoret nga anijet tregtare. Si pasojë, kompanitë ndërkombëtare të transportit po ulin shpejtësinë e anijeve për të kursyer karburant dhe po rishikojnë itineraret detare, çka po ndikon në kohëzgjatjen dhe koston e dërgesave.
Për Shqipërinë, që mbështetet kryesisht te importet dhe transporti detar për furnizimin me mallra, kjo situatë pritet të përkthehet në vonesa të kontejnerëve dhe kosto më të larta logjistike, sidomos për produktet që vijnë nga Azia dhe Lindja e Mesme.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e kostove të transportit nuk do të mbetet vetëm te kompanitë e logjistikës, por gradualisht do të transferohet edhe te bizneset dhe konsumatorët. Produktet ushqimore të importuara, materialet e ndërtimit, pajisjet elektronike dhe mallrat industriale janë ndër sektorët që mund të ndjejnë më shpejt efektet e shtrenjtimit.
Ndikimi mund të reflektohet edhe në sektorin turistik, pasi rritja e kostove të energjisë dhe transportit do të ushtrojë presion mbi furnizimet për hotelet, restorantet dhe operatorët turistikë gjatë sezonit veror.
Edhe pse Shqipëria nuk është pjesë direkte e konfliktit, ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar ndaj krizave globale për shkak të varësisë së lartë nga importet dhe zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Nëse tensionet në Lindjen e Mesme zgjasin, bizneset shqiptare pritet të përballen me furnizime më të ngadalta dhe kosto më të larta në muajt në vijim. /ekofin.al


