“S’japim tokat për parqe fotovoltaike”, banorët e zonës së Gollobordës përplasen me bashkinë e Bulqizës

Aktualitet

“S’japim tokat për parqe fotovoltaike”, banorët e

Një tjetër dëgjesë publike e thirrur nga Këshilli Bashkiak i Bulqizës është shoqëruar me debate të forta pasi banorët e zonës së Gollobordës kundërshtojnë planit për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore përmes ankandit.

Banorët shprehën refuzimin për çdo formë të dhënies së tokave, pasi sipas tyre procesi nuk lidhet me zhvillimin e bujqësisë apo blegtorisë, por me synimin për t’i shfrytëzuar këto sipërfaqe për ndërtimin e paneleve fotovoltaike.

Ata kundërshtuan edhe argumentin e bashkisë se investimi do t’i japë zhvillim ekonomik zonës

Një shqetësim i ngritur nga banorët ishte se, nëse tokat do të përdoren për panele diellore, ato do të rrethohen dhe do të dalin jashtë funksionit për komunitetin, duke goditur drejtpërdrejt jetesën e tyre. Kjo pasi fshatrat e Gollobordës mbështeten kryesisht tek bujqësia, blegtoria dhe punët sezonale.

Banorët u shprehën gjithashtu se zona mbetet ndër më të diskriminuarat për investime, ndërsa ndërhyrje të tilla i konsideruan si përpjekje për t’u marrë tokat, pa sjellë përfitime për komunitetin.

Zhvillimet në njësinë administrative të Ostrenit vijnë vetëm një ditë pas tensioneve të ngjashme në Gjoricë, duke treguar një përplasje të hapur mes banorëve dhe Bashkisë Bulqizë për mënyrën e përdorimit të tokave.

ME TE LEXUARAT