Stuhia s'ka mbaruar! Meteorologia jep ALARMIN: I gjithë territori i rrezikuar

Një stuhi e frikshme përfshiu jugun e Shqipërisë mbrëmjen e kaluar (21 korrik), duke shkaktuar të lënduar dhe dëme të konsiderueshme, kryesisht në qytetet bregdetare. Por vendi ynë pritet të përfshihet sërish nga stuhi afatshkurtra.
Paralajmërimi vjen nga meteorologia Tanja Porja, e cila foli për kushtet atmosferike të ditëve në vijim.
Sipas Porjës, stuhitë do të prekin pothuajse të gjithë territorin e vendit, ndërsa zonat më të rrezikuara janë ato qendrore dhe juglindore.
“Presim edhe sot në territorin shqiptar ndonjë gjë krejt të vogël. Ditën e premte kemi stuhi afatshkurtra thuajse në gjithë territorin shqiptar. Askush s’mund ta përcaktojë, sepse janë celula që shkëputen, vendosen mbi një lokalitet, dhe aty prodhojnë maksimumin e aktivitetit të tyre. E gjithë Shqipëria është e rrezikuar nga këto stuhi. Me një njollë pink rezulton zonat qëndrore dhe Lindja, Juglindja, Fushë-Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan, një pjesë e Librazhdit, Pogradec, Korçë, Ersekë, Devoll. Mund të fusim edhe Përmetin dhe Gjirokastrën. I gjithë territori është i rrezikuar. Fatmirësisht janë stuhi afatshkrutra, ku në 20-40 minuta prodhojnë sasi të jashtëzakonshme të rreshjeve, shpejtësi mjaft të larta të erës”.-u shpreh meterologia.