“Ti s’më përgjigjesh, por unë të shkruaj”/ Dedikimi prekës i Agron Llakajt për bashkëshorten: Dy vite pa ty ....

Aktori i njohur shqiptar, Agron Llakaj, ka emocionuar ndjekësit me një dedikim prekës për bashkëshorten e tij të ndjerë, Kostandinën, në dyvjetorin e ndarjes së saj nga jeta.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Llakaj ka ndarë dhimbjen, mallin dhe boshllëkun që ka lënë humbja e bashkëshortes, duke kujtuar historinë e tyre të dashurisë dhe momentet e veçanta të jetës familjare.
Në letrën e tij emocionale, aktori rikthen në kujtesë kohën kur ishte ushtar dhe komunikonte me Kostandinën përmes letrave, ndërsa sot, siç shkruan ai, vazhdon t’i drejtohet me letra që nuk marrin përgjigje.
“Dy vite pa ty. Sot vendosa të të shkruaj. Dikur ishe ti që më shkruaje vazhdimisht, ndërsa sot jam unë ai që shkruaj letra që nuk lexohen nga ty, por dua të bind veten se je”, shkruan ai.
Mes rreshtash, Llakaj flet edhe për fëmijët dhe nipërit e mbesat, të cilët vazhdojnë ta kujtojnë çdo ditë Kostandinën. Një nga momentet më prekëse të rrëfimit lidhet me nipin e tij, i cili i kishte kërkuar dy dhurata për Krishtlindje.
“Sepse do më japësh edhe dhuratën nga nëna Kostandina, se ajo na shikon nga lart”, i kishte thënë nipi, një moment që, sipas aktorit, e përloti thellësisht.
Në fund të letrës, Agron Llakaj shpreh dhimbjen e mungesës së bashkëshortes, por edhe vendosmërinë për të vazhduar përpara, duke mbajtur gjallë kujtimin e saj në familje.
“Ti jeton në mua e mes nesh përgjithmonë”, përfundon ai në dedikimin që preku mijëra ndjekës në rrjetet sociale.


