U dënua përjetë, por nuk e kreu dënimin/ Si e fitoi lirinë Lulzim Caka?

Aktualitet

U dënua përjetë, por nuk e kreu dënimin/ Si e fitoi

Është zbuluar identiteti i shqiptarit të arrestuar në Greqi, i cili dyshohet se ishte në krye të një grupi të përfshirë në trafikun e kokainës nga Kolumbia.

Sipas të dhënave të publikuara, bëhet fjalë për Lulzim Cakën, i njohur edhe me  pseudonimin  John Franko, person i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje.

Caka u shpall në kërkim pasi në vitin 2019 u lirua nga burgu në Shqipëri, në rrethana që u konsideruan të paligjshme. Ndërkohë, në vitin 2022, autoritetet greke refuzuan kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e tij.

Por si arriti Caka të qëndronte jashtë qelisë?

Sipas informacioneve të bëra publike, një rol në lirimin e tij pati beteja ligjore në disa nivele të sistemit gjyqësor. Çështja kaloi në disa gjykata, përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe më tej Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Caka ishte sjellë në Shqipëri nga Italia në vitin 2003, në kuadër të një marrëveshjeje ekstradimi. Pas 16 vitesh burgim, atij iu konsideruan të shlyera 25 vitet e dënimit.

Lirimi i tij në korrik 2019 solli pasoja edhe brenda strukturave të burgjeve. Drejtori i burgut të Kosovës së Lushnjës dhe juristi i institucionit u shkarkuan, ndërsa nisi edhe një hetim ndaj gjyqtarit që kishte vendosur për lirimin e tij.

Pas kësaj, Caka u shpall sërish në kërkim policor, pasi autoritetet e konsideruan lirimin e tij të padrejtë dhe kërkuan rikthimin e tij në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

 

ME TE LEXUARAT