‘Varr masiv qensh në zemër të Tiranës’, nisin hetimet! Aktivisti akuza klinikës veterinare të Bashkisë

Në një kosh mbeturinash në zonën e Lanabregas, në Dajt, janë gjetur mesditën e së mërkurës 11 qen të ngordhur.
Qentë janë konstatuar nga anëtarë të Animal Rescue Albania, të cilët kishin marrë më herët denoncime nga banorë të zonës për hedhjen e trupave të kafshëve, duke krijuar atë që ata e cilësojnë si një “varr masiv qensh”.
“Ka qenë shumë e vështirë për të identifikuar vendin se ku po i hidhnin, por duke kërkuar vazhdimisht gjetëm një pjesë të tyre. Qentë ishin të ngrirë. Sapo ishin hedhur. Dhomat frigoriferike mund ti ketë vetëm një klinikë veterinare apo një strukturë spitalore” thotë Indrit Osmani nga Animal Rescue Albania.
Sipas Indrit Osmani, në vendngjarje janë gjetur edhe mbetje spitalore, çka ngre dyshime për përfshirjen e Strehëzës Veterinare të Bashkisë Tiranë, që ndodhet në Tufinë.
"Ne kemi pasur informacion se nga cila klinikë vinin. Këta vijnë nga klinika veterinare e Bashkisë së Tiranës, Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit. Nuk kemi arritur t’i filmojmë dot kur i kanë nxjerrë nga klinika dhe i kanë hedhur këtu por e dinim që kjo procedurë ndodhte vazhdimisht dhe dinim vendin ku hidheshin qentë të shpërndarë në kosha të ndryshëm për të mos lënë gjurmë”, thotë ai.
Një kallëzim penal është depozituar në komisariatin numër 4. Autoritetet policore kanë nisur hetimet, por e vetmja kamera sigurie që është gjetur në zonë sipas burimeve policore nuk ka funksionuar. Mungesa e pamjeve vështirëson identifikimin e autorëve.
Report TV ka kërkuar një reagim zyrtar nga Bashkia e Tiranës, por deri në publikimin e kësaj kronike nuk ka pasur asnjë përgjigje lidhur me denoncimet e ngritura nga Animal Rescue Albania.


