Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq/ Flet fqinji i familjes së viktimës: Ai kalonte në rrugë dhe...
Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme Maliqin, ku 14-vjeçari Erald Xhejo humbi jetën pasi u qëllua me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Enedio Guri. Në lidhje me ngjarjen ka folur një fqinj i familjes së viktimës, i cili e përshkroi Eraldin si një djalë të shkëlqyer që i trajtonte të gjithë me respekt maksimal.
“E njoh familjen, familje e mirë sa më s’ka. Djali kalonte në rrugë e të respektonte në një mënyrë të tillë, ishte e pamundur ta mendosh dicka të tillë. Nuk e di fare si ndodhi kjo gjë. Të lë pa fjalë, çfarë të thuash më tepër. Autori është nga fshati tjetër, nuk di çfarë të them për të,” tha fqinj i familjes.
Pas hetimeve intensive, policia ka arrestuar tetë persona në lidhje me vrasjen e 14-vjeçarit. Autori i dyshuar ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, gjendje që ka penguar deri tani marrjen e tij në pyetje nga grupi hetimor.
Sot pritet që, në prezencë të avokatit, psikologut dhe familjarëve, të sigurohet dëshmia e 14-vjeçarit, mbi të cilin rëndon akuza për vrasje me dashje. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, vdekja ka ardhur si pasojë e një goditjeje të vetme me thikë në zemër. Plaga ishte fatale dhe i mituri humbi jetën brenda pak minutash në vendngjarje.
Pas krimit, autori tentoi të largohej me makinë, ndërsa xhaxhai i tij mori thikën nga vendi i ngjarjes, e lau dhe më pas e fshehu, duke penguar hetimet.