Rama u përgjigjet kritikëve për mungesën e avionëve zjarrfikës: “Kujdes nga piromanët verbalë, shfaqin prirje për të krijuar tension”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj akuzave për mungesën e avionëve zjarrfikës në vend. Ai i cilëson kritikët si “piromanë verbalë”, individë që sipas tij shfaqin prirje për të krijuar tension dhe konflikt pa arsye.
Rama rikujton zjarret e mëdha në Greqi, ku edhe pse vendi fqinj ka flotë avionësh zjarrfikës, përballimi i flakëve mbetet i vështirë. Kreu i qeverisë paralajmëron se për këtë kategori personash duhet treguar kujdes, duke nënkuptuar se ata nuk kanë më asgjë për të humbur dhe shpesh përpiqen të nxjerrin përfitime nga situata kritike.
Reagimi i tij vjen në një moment kur Shqipëria po përballet me zjarre të shumta, duke nxitur debat publik për mjetet dhe kapacitetet e nevojshme për menaxhimin e tyre.
Reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama:
RUHUNI NGA PIROMANET VERBALE
Kjo video është një moment tragjik i këtyre ditëve nga përballja e vendit fqinj me zjarret
Po e postoj për të gjithë ata që flasin nga urrejtja e pashërueshme apo edhe nga sekëlldia e mirëkuptueshme për avionë e për roje pylli, sepse ky vendi fqinj ka 77 avionë zjarrfikës e një histori të gjatë lufte me zjarret, por lufta me zjarret në kushtet e ndryshimit të klimës është sot ku e ku më e komplikuar se sa duket, kur do të fajësosh qeverinë dhe bërtet pse s’ka avionë.
Nderkohe sipas ChatGPT:
Në terma mjekësorë, piromania (zjarrvënia) është një çrregullim i kontrollit të impulseve, ku personi ndien një shtysë të fortë për të ndezur zjarre dhe përjeton një ndjenjë kënaqësie ose çlirimi pas këtij veprimi. Një piroman është një person që, me dashje dhe shpesh për kënaqësi ose impulse personale, i vë zjarr ndërtesave, pyjeve, automjeteve apo pronave të tjera. Në shumicën e vendeve piromania trajtohet si një çrregullim psikologjik që shpesh kërkon trajtim, por edhe si një krim që ndëshkohet rëndë nga ligji.
E pyetur per piromaninë verbale ChatGBT shpjegon:
Piromani verbal është një individ që shfaq prirje sistematike për të gjeneruar tension, konflikt ose polarizim shoqëror përmes gjuhës së folur apo të shkruar, shpesh me qëllim përfitimi politik, mediatik ose personal. Ai përdor deklarata të ngarkuara emocionalisht, insinuata, dhe narrativa konspirative si “stimulus ndezës”, duke synuar të shkaktojë reaksione të forta në publik. Ky fenomen mund të shihet si një variant metaforik i piromanisë klasike, ku objekti i shkatërrimit nuk është materiali fizik, por kapitali social dhe besimi publik. Në rastin specifik të akuzave për zjarret, piromani verbal instrumentalizon fatkeqësitë natyrore si “material djegës” diskursiv, duke krijuar një klimë mosbesimi dhe histerie kolektive, pavarësisht mungesës së provave faktike.
Ruhuni nga piromanët verbalë të këtij vendi, humbësa kronikë që nuk kanë asgjë më për të humbur.