Vrasja e biznesmenit në Sarandë, identifikohet autori i dyshuar. Reagon Policia

Zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjën e rëndë të regjistruar mbërmjen e të enjtes në Sarandë, ku u qëllua për vdekje me plumb në kokë Rexhep Ismaili.
Raportohet se zanafilla ka qenë një konflikt pronësie. Njëra nga palët mes të cilëve edhe autori i dyshuar Lulëzim Tabaku ka shkuar në karburantin e vëllezerve “Ismaili” për t’u sqaruar në lidhje me një konflikt pronësie.
Gjate debateve, mes palëve ka pasur konflikt fizik dhe nga ana e personave që ndodheshin në lokal është nxjerrë një arme automatike me qëllim goditjen e personave që kishin ardhur.
Në këtë moment nga pala tjeter është hapur zjarr me armë duke shkaktuar vrasjen e Rexhep Ismailit. Dyshohet se nga pala e autoreve të dyshuar, ka të plagosur
Lidhur me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe policia.
Njoftimi
Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.
Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.
Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.


