Opozita kërkon largimin e Ramës, Berisha thirrje qytetarëve: Bashkohuni protestës

Politikë

Opozita kërkon largimin e Ramës, Berisha thirrje qytetarëve:

Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se protesta mbetet e vetmja mënyrë për t’u përballur me kryeministrin Edi Rama.

“Vala e protestave të opozitës nuk ndalet kurrë deri në realizimin e qëllimit tonë. Shpallja jonë se jemi në kilometrin e fundit shënon gjithashtu detyrimin tonë për ta përshkuar me çdo çmim dhe çdo kusht këtë kilometër deri në fitore”, u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve komentoi gjithashtu vendimin e Gjykatës së Lartë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Berisha akuzoi kryeministrin Rama për presion ndaj gjyqtarëve, me qëllim lirimin e saj nga arresti shtëpiak.

“Edi Rama, pasi mbylli çështjen Balluku duke përdorur 83 votat e krimit, ia doli nëpërmjet Ilir Pandës, ish-ministër socialist, të nxjerrë nga arresti shtëpiak një eksponent të grupit të strukturuar kriminal, të vlerësuar nga prokuroria speciale”, deklaroi ai.

Kjo është protesta e tetë kombëtare që opozita organizon kundër qeverisë “Rama”.

Sipas informacioneve, tubimi nuk do të përfshijë fjalime. Protestuesit do të mblidhen fillimisht para godinës së Kryeministrisë dhe më pas do të marshojnë drejt institucioneve shtetërore, ndaj të cilave opozita ka ngritur akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin.

ME TE LEXUARAT