Helmimi i 56 studentëve/ Policia shpall në kërkim pronaren e kompanisë, Alma Tafani

Aktualitet

Helmimi i 56 studentëve/ Policia shpall në kërkim pronaren e

Policia ka shpallur në kërkim Alma Tafanin, bashkëshorten e Nikolin Jakës, pas skandalit të helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, që dyshohet se u shkaktua nga ushqimet e ofruara nga kompania e saj “Sori-Al”.

Gjatë kontrollit në banesën e saj, familjarët kanë deklaruar se Tafani është larguar jashtë vendit për arsye pune.

Megjithatë, sipas burimeve hetimore dhe verifikimeve në sistemin TIMS, ajo rezulton të ndodhet ende në Shqipëri, ndërsa dyshohet se po fshihet për t’iu shmangur hetimeve.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Nikolin Jaka, pritet të merret në pyetje nga Prokuroria lidhur me hetimet për skandalin e sigurisë ushqimore.

Kompania “Sori-Al” kishte një kontratë me Akademinë e Sigurisë për furnizimin me ushqim të studentëve përmes shërbimit të kateringut. Sipas dëshmive të studentëve, ushqimet ishin shpesh jashtë standardeve dhe kishte ankesa të vazhdueshme për cilësinë e tyre.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe teknologia e ushqimit Kristjana Plaka, të cilët kanë deklaruar se ushqimet janë përgatitur sipas produkteve dhe menusë së siguruar nga kompania.

Po ashtu, mjekët Najada Çomo dhe Edmond Puca kanë konfirmuar se helmimi i 56 studentëve lidhet me ushqimin e konsumuar.

Alma Tafani akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, vepër që parashikon deri në 10 vite burg.

 

ME TE LEXUARAT