“Agasin e kam njohur në administratë”/ Karçanaj flet për pasuritë e saj: Jetoja me qira, nuk kam as makinë

Aktualitet

“Agasin e kam njohur në administratë”/ Karçanaj

Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka folur për herë të parë në “Top Story” pas akuzave të ngritura ndaj saj, duke u ndalur si te njohja me Ergys Agasin, ashtu edhe te pretendimet për pasurinë e saj.

Ajo tha se Agasin e ka njohur gjatë kohës kur ai ka qenë funksionar në administratë, duke theksuar se marrëdhënia ka qenë thjesht institucionale dhe korrekte, si me çdo punonjës tjetër në administratë. Sipas saj, çdo kontakt ka qenë në kuadër të detyrës dhe nuk është shndërruar në marrëdhënie personale apo të jashtëligjshme.

Karçanaj komentoi edhe akuzat për pasuritë e saj, duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe poshtëruese. Ajo u shpreh se çdo e ardhur dhe pasuri që zotëron është e deklaruar dhe brenda sistemit ligjor, duke shtuar se nuk ka asnjë shumë të fshehur apo të padeklaruar.

Sipas saj, aktualisht jeton me qira dhe nuk zotëron mjete luksoze apo pasuri të fshehura, ndërsa theksoi se të gjitha pronat e deklaruara janë në përputhje me të ardhurat e saj dhe të familjes.

Dua të shtoj se zor që mund të provoj ndjesi më të keqe dhe poshtëruese se momenti i sekuestrimit. Unë kam fiks 30 vite që punoj. 6 vite si pedagoge, më pas kam emigruar në Kanada, nuk kam ikur atje për të prishur lekët e prindërve. Kam punuar në profesion duke dalë nga shtëpia në 7 të mëngjesit dhe kthehesha në 8 në shtëpi. Aty kam qenë e mirëpaguar. Më pas u ktheva dhe kam punuar pedagoge. Kam punuar 12 vite në AKSH. Çdo gjë që kam të deklaruar e kam të deklaruar prej një jete.

Çdo e ardhur e imja është brenda sistemit e deklaruar. Nuk ka asnjë qindarkë të fshehur. Unë aktualisht jetoj në një shtëpi me qira, deri në fund të 2024, jetoja në shtëpinë ku kam lindur, një apartament 64-vjeçar që i përket kohës së Enverit. 

Nuk ka lidhje me pronësinë time, e kam pasur një apartament me qira të zgjedhur pranë punës, AKSHI-t. Unë nuk drejtoj makinë, nuk kam makinë. Nuk zgjodha të shes pronën e mamasë por zgjodha atë apartament me qira. Për emergjencat e punës, unë kam zgjedhur që për 5 minuta të isha në AKSH. Është me kontratë tek noteri, çdo pagesë qiraje është bërë në bankë.

(Flet për banesën në Qerret) Ato që ju i quani disa prona në fakt janë pasuri të deklaruara, unë jam subjekt deklarimi së bashku me babain e fëmijëve të mi, që janë bërë që në momentin që janë blerë. Pronat e mia nuk kanë lidhje me titujt bombastikë. Unë zotëroj në Qerret një apartament 1+1,  60 metra/ katrorë, që e zotëron babai i fëmijëve të mi.

Unë e kam të rëndësishme të flas edhe për pronat e sekuestruara, unë jam fëmijë i vetëm, mamaja ime ka qenë mësuese ka punuar 30 vite, babai im ka qenë profesor matematike 50 vite dhe ataku në zemër i ka ndodhur duke dhënë mësim.

Unë nuk drejtoj makinë, unë nuk kam makinë. Bëhet fjalë për një Volkswagen Tiguan e 2016, e blerë 10 vite më parë që e përdor babai i fëmijëve të mi, sërish e deklaruar. Nuk bëhet fjalë për asnjë Porsche”, tha Karçanaj.

ME TE LEXUARAT