"Çfarë po ndodh me ndërtimin në Tiranë", Erion Braçe denoncon zaptimin e trotuarit (VIDEO)

Politikë

"Çfarë po ndodh me ndërtimin në Tiranë",

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka denoncuar publikisht bllokimin e një pjese të trotuarit në Njësinë Administrative nr. 7 në Tiranë, duke pretenduar se hapësira publike është zënë nga ndërtimi i një rezidence për stafin diplomatik të Kinës në Shqipëri.

Në një postim në rrjetet sociale, Braçe ka publikuar edhe pamje nga zona, ku sipas tij muri rrethues i objektit ka ngushtuar ndjeshëm trotuarin, duke vështirësuar kalimin e qytetarëve, veçanërisht prindërve me karroca dhe këmbësorëve.

Ai shprehet kritik ndaj mënyrës së menaxhimit të hapësirës publike në Tiranë, duke ngritur shqetësimin për rastin konkret dhe duke theksuar se qytetarët detyrohen të ecin në kushte të vështira për shkak të ndërhyrjes në trotuar.

"Mirëmëngjes nga Tirana, Njësia 7. Në terren, si deputet i gjithë Tiranës, në betejën për hapësirën publike dhe trotuaret. Kjo këtu është një leje ndërtimi për një rezidencë me mur rrethues në favor të Republikës Popullore të Kinës. Ka marrë një pjesë të trotuarit publik, shiheni. Kur ma thanë nuk e besova. Edhe pse e kuptoj fuqinë dhe madhësinë e Kinës, thashë nuk ka mundësi. Por në këtë vend është e vërtetë që ka një fuqi që edhe të huajt i bën të sillen si ne. Në Kinë nuk do e bënin, këtu e bëjnë që ç’ke me të. Trotuari, siç është katandisur, të krijon mundësi të ecësh në njëshkolonë. Ose do përplasesh me murin, ose me pemën, ose me makinat. Nënat me karrocat e fëmijëve as që bëhet fjalë të kalojnë. Dhe janë plot 150 hapa gjatësi që janë katandisur kështu. Nuk kam më fjalë për çfarë po ndodh me ndërtimin në Tiranë. Ky shembull mi mori të gjitha. Kina, eeej! Por një pyetje do e bëj ama: A ndërton kush më në këtë qytet pa i rënë në qafë hapësirës publike?”, shkruan Braçe.

ME TE LEXUARAT