Alis elektrizon skenën e Eurovisionit në Vjenë, kualifikon Shqipërinë në Finale

Nata e dytë e gjysmëfinales së Eurovision Song Contest 2026 është mbyllur me një lajm të madh për publikun shqiptar, Alis është kualifikuar me sukses në Finalen e Madhe të festivalit.
Me një interpretim vokal të fuqishëm dhe emocional në skenën e Wiener Stadthalle në Vjenë, artisti shqiptar arriti të sigurojë një nga 10 vendet e kualifikimit për natën finale të së shtunës.
Kënga “Nân” u shoqërua me një performancë moderne dhe efekte vizuale mbresëlënëse, ndërsa reagimi i publikut në sallë ishte i menjëhershëm, me duartrokitje të gjata në përfundim të interpretimit.
Në “Green Room” dhe në arenë u vu re edhe prania e flamurit shqiptar, duke krijuar atmosferë të fortë emocionale për delegacionin shqiptar dhe mbështetësit.
Sipas rezultateve të publikuara, Shqipëria është mes 10 vendeve që kalojnë në finalen e madhe, duke iu bashkuar shteteve të tjera të kualifikuara nga dy gjysmëfinalet dhe “Big 5”.
Tashmë vëmendja zhvendoset te finalja e së shtunës, ku Shqipëria do të kërkojë një rezultat sa më të lartë në garën europiane.
Më poshtë është lista e plotë e 10 shteteve që u kualifikuan nga gjysmëfinalja e dytë:
Shqipëria – Alis – Nân
Australia – Delta Goodrem – Eclipse
Bullgaria – Dara – Bangaranga
Çekia – Daniel Zizka – CROSSROADS
Danimarka – Søren Torpegaard Lund – Før vi går hjem
Malta – AIDAN – Bella
Norvegjia – JONAS LOVV – YA YA YA
Qipro – Antigoni – Jalla
Rumania – Alexandra Căpitănescu – Choke me
Ukraina – LELÉKA – Ridnym
Tashmë sytë dhe zemrat janë drejtuar te e shtuna, ku Alis do të ngjitet sërish në skenë me shpresën, pse jo, për të sjellë trofeun e madh në Tiranë.


