Zbardhen përgjimet në SkyECC: Si e orientonte Franc Çopja “Eskobarin” shqiptar të investonte paratë në lingota ari

Aktualitet

Zbardhen përgjimet në SkyECC: Si e orientonte Franc Çopja

Në emisionin “Në Shënjestër” me autore Klodiana Lalën, u publikuan bisedat e transkriptuara nga aplikacioni SkyECC, ku shihet se si kreu i grupit kriminal, Franc Çopja, kërkon të investojë në kriptomonedha si një formë e re e pastrimit të parave.

Grupet kriminale tani, edhe më shumë, po përdorin kriptovalutat jo vetëm për të bërë pagesa për blerjen e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike, por edhe për të investuar këto të ardhura në portofolë dixhitalë me kriptovaluta.

Ndër bisedat e zbardhura janë ato midis Franc Çopjas dhe Ervis Çelës, nga fshati Fatish i Peqinit, i cili mund të konsiderohet pa frikë si “Pablo Eskobari” shqiptar.

Ai ishte një emër thuajse i panjohur për autoritetet në Shqipëri, pasi ishte vendosur në Paraguaj, ku kishte krijuar lidhje të forta me krerë kartelesh. Organizata që ai drejtonte mund të konsiderohet si më e rëndësishmja e goditur deri më tani nga SPAK.

Ervis Çela dhe vëllezërit e tij, Albini, Rizai dhe Ardiani, kishin arritur të krijonin një perandori ekonomike.

Në SkyECC ai mburrej se kishte bërë 100 milionë euro, por shprehte shqetësim për transferimin e tyre në Shqipëri.

Por bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Franc Çopja, e këshillonte t’i investonte në lingota ari, ashtu siç, në fakt, po bënte edhe vetë.

Hetimet
Franc Çopja orienton Ervis Çelën që të investojë paratë në lingota ari dhe të mos i groposë, pasi rrezikojnë të dëmtohen.

Ervis Çela: “Shok, mora 3.8 milionë sot në Tiranë… Kam 200 ullinj në mal, duhen futur me ndonjë qyp… Se ullinjtë rrojnë shumë…”

Franc Çopja: “Ktheji në flori… Mos i fut lekët në tokë… Më dëgjo mua…”

Ervis Çela: “S’ka flori… Duhet me grabit ndonjë bankë… Duhet me porosit nga Afrika…”

Franc Çopja: “E di që s’ka… Do flas unë me njërin, mos na i sajon. Por mblidhi avash-avash. Mos fut lekë në tokë se prishen.”

Ervis Çela: “E di që prishen lekët… Pyete. Sa të ketë 100–200 kile…”

Në një tjetër bisedë me Franc Çopjan, Ervis Çela i tregon se është duke blerë dy portofolë, me qëllim investimin në kriptomonedha. Sipas tij, portofoli kap shifrën e 14 milionë dollarëve, nga ku në një vit do të arrijë të fitojë rreth 2.5 milionë dollarë.

Edhe në bisedat mes Franc Çopjas dhe Maklen Micit, të zhvilluara në SkyECC në vitin 2021, kreu i grupit kriminal i kërkon bashkëpunëtorit të tij të gjejë 300 kg flori.

Kjo si e vetmja mundësi që paratë e fituara nga aktiviteti kriminal t’i shndërrojë në kallëpe ari, me qëllim që ta ketë më të lehtë t’i fshehë apo t’i konvertojë në para kur të jetë e nevojshme.

Bisedat në SkyECC
14 janar 2021
Franc Çopja (Gergyli) i kërkon Maklen Micit t’i gjejë 300 kg flori.

Dy ditë më vonë, Mici i dërgon mesazhin: “Erdhën 30 kile, nga e marta t’i sjell flori.”

Në vijim, Franc Çopja kërkon sërish 300 kg flori të tjerë, që sipas Micit shkojnë në vlerën 15.4 milionë euro.

Mici i shkruan: “Fute ku të duash, e vetmja gjë që s’prishet, kjo është.”

Sikundër u pa edhe nga hetimi, kjo nuk ishte hera e parë që Franc Çopja kërkonte nga bashkëpunëtori i tij t’i gjente lingota ari, të cilat bliheshin me paratë e fshehura në pikën e këmbimit valutor përballë Bankës së Shqipërisë.

Nga hetimi rezultoi se në llogarinë e organizatës kriminale Çopja u sekuestruan edhe 10 milionë euro në kriptovalutë, portofoli i së cilës tashmë është në ruajtje në një bankë të nivelit të dytë në Belgjikë.

Bisedat SkyECC
24 shkurt 2021
Franc Çopja i shkruan Maklen Micit duke i kërkuar t’i gjejë 500 kg flori.

Mici i dërgon një foto ku dallohen lingota ari 24 karatësh.

Nga kjo krijohet dyshimi i arsyeshëm se Maklen Mici ka blerë për llogari të Franc Çopjas 500 kg flori, në 500 lingota ari 24 karatësh.

Sekuestrimi dhe bllokimi i një sasie të tillë kriptovalute ishte një sukses i madh për SPAK.

Kriptovalutat më pas përdoren në sektorin e ndërtimit apo në sektorë të tjerë me rëndësi për ekonominë.

Dorina Bejko, drejtuese në sektorin antikorrupsion në SPAK, thotë se një ndër bizneset që cilësohet me risk të lartë për pastrimin e parave janë pikërisht pikat e këmbimit valutor, krahas sektorëve të tjerë.

“Sektorët që shfaqen si më me risk për pastrimin e parave janë sektori i investimit në pasuri të paluajtshme, sektori i ndërtimit, shoqëritë tregtare, zyrat e këmbimit valutor, por së fundmi, ajo që është risi dhe ka rezultuar edhe nga hetimi i SPAK, është investimi në kriptomonedha.

Procesi i pastrimit të parave fillon me futjen dhe përdorimin e cash-it në sistem”, thotë Dorina Bejko nga sektori antikorrupsion në SPAK.

Sipas saj, kriptovalutat më pas mund të jenë përkthyer, noterizuar dhe materializuar në lingota ari.

Në momentin e parë kur janë evidentuar asetet, SPAK nuk ka pasur kapacitetet e nevojshme për të bërë të mundur bllokimin e këtyre kriptovalutave.

Tashmë, edhe për shkak të përvojës së fituar me kalimin e kohës, SPAK, falë trajnimeve dhe ekspertizës së specializuar, ka një kapacitet më të plotë dhe më të avancuar për hetimin dhe bllokimin e kriptovalutave./Ballkan

ME TE LEXUARAT