Zegjine Çaushi siguron mandatin e deputetes, mallakastriotit Klevis Jahaj i kthehen votat e hequra (REZULTATET)
Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Fierit është drejt përfundimit. E teksa në duart e numëruesve janë duke kaluar votat e fundit, mësohet se ashtu sikurse dhe në procesin e Tiranës ku dhe u konstatuan me qindra vota të pavlefshme, edhe në Fier janë hasur vota të parregullta.
Kandidatja e Partisë Demokratike, Siva Hasaj rezulton të ketë mbi 600 vota të pavlefshme, ndërsa nga socialistët mban rekord Ceno Klosi me mbi 800 vota të tilla.
Zegjine Çaushi mandati i së cilës ishte me “pikëpyetje” para nisjes së këtij procesi, ka arritur që ta kalojë me sukses rinumërimin duke mbajtur të sigurt karrigen e saj të deputetes.
Ndërkohë, në të kundërt, kandidatit tjetër socialist Klevis Jahaj, të cilit në numërimin paraprak i ishin hequr 480 vota, pas përfundimit të këtij procesi atij do t’i rikthehen.
Sa i përket subjekteve politike, Partia Demokratike ka humbur mbi 140 vota, Lëvizja Bashkë 11 vota, Koalicioni Djathtas për zhvillim 2 vota, 6 vota Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, ndërsa PS ka rifituar 32 vota dhe PSD 7 vota.
E në një kohë kur ky proces është drejt përfundimit jashtë ambienteve të Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, deputeti i PD-së në Durrës, Aulon Kalaja, ka dalë të protestojë.
Kalaja ka kërkuar rinumërim të plotë të votave edhe për qarkun e Durrësit dhe se ka shprehur rezervat e tij ndaj KAS. Kalaja ka kërkuar gjithashtu që përveç rinumërimit të bëhet edhe shqyrtimi i pamjeve filmike.
“Kam qenë kandidati i parë që kam kërkuar rinumërim por jam i zhgënjyer nga KAS dhe mënyra se si kanë vendosur t’i quajnë votat e pavlefshme.
Durrësi do të hapej në orën 3 ndërkohë që marrim vesh se do hapet nesër në orën 9. Durrësin e kam kërkuar unë që të hapet. Shqetësimi im është shumë i thjeshtë, po na shpallin votat e pavlefshme në një mënyrë totalisht të çuditshme. I bie që ne jemi hajdutë votash. Kjo protestë sot është kambanë alarmi për atë që do të ndodhë nesër”, tha Kalaja.