19 viktima nga një sulm me bombë në Kolumbi/ Autor i dyshuar, një bos droge

Bota

19 viktima nga një sulm me bombë në Kolumbi/ Autor i dyshuar,

Një sulm me bombë në një autostradë në Kolumbinë jugperëndimore ka lënë të vdekur 19 persona, dhe ka plagosur të paktën 38 të tjerë, përfshirë pesë fëmijë. Shpërthimi ndodhi në autostradën Pan-Amerikane në komunën e Cajibio në provincën Cauca.

Guvernatori Octavio Guzman e përshkroi incidentin si një tragjedi dhe paralajmëroi për një përshkallëzim terrorist, ndërsa në një postim në “X” ndau pamje nga vendngjarja, ku shihenin një numër i madh automjetesh të dëmtuara.

Presidenti Gustavo Petro fajësoi për sulmin Ivan Mordisco-n, një nga kriminelët më të kërkuar të Kolumbisë, të cilin udhëheqësi i majtë e ka krahasuar me bosin e ndjerë të drogës Pablo Escobar. Petro i cilësoi përgjegjësit e ngjarjes së rëndë si “terroristë, fashistë dhe trafikantë droge”.

Mordisco është një disident i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), të cilat tashmë janë shfuqizuar dhe veprojnë në rajon. Ai zgjodhi të mos marrë pjesë në marrëveshjen e paqes që FARC nënshkroi me shtetin në vitin 2016.

Sulmi me bombë është i fundit në një seri shpërthimesh që synojnë infrastrukturën publike. Të paktën 26 incidente kanë ndodhur gjatë dy ditëve të fundit në departamentet Valle del Cauca dhe Cauca dhe kanë prekur vetëm civilët, sipas Komandantit të Forcave të Armatosura të Kolumbisë, Hugo López.

Vala e sulmeve vjen përpara zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për në 31 maj, ndërkohë që siguria është një nga çështjet qendrore të fushatës zgjedhore.

ME TE LEXUARAT