Do të fluturoni këto ditë? Si përkthehet kriza e Hormuzit për industrinë e Aviacionit Civil

Kriza e naftës e shkaktuar nga lufta me Iranin dhe bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po godet drejtpërdrejt industrinë e aviacionit, me pasoja që pritet të ndihen brenda javësh në Europë.
Çmimi i karburantit për avionë është dyfishuar që nga nisja e konfliktit, ndërsa paralajmërohet se problemi nuk është më vetëm kostoja, por edhe mungesa fizike e furnizimit.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Europa ka vetëm rreth gjashtë javë rezerva, ndërsa në disa vende furnizimi ka rënë në më pak se 20 ditë, një nivel që konsiderohet kritik për funksionimin normal të fluturimeve.
Shkaku kryesor është bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon një pjesë e madhe e naftës që përdoret për prodhimin e karburantit të avionëve. Aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e furnizimit për Europën mungon, duke krijuar presion të fortë në treg.
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror paralajmëron se nëse situata vazhdon, anulimet e fluturimeve mund të nisin që në fund të majit, ndërsa në Azi disa kompani kanë filluar tashmë të reduktojnë fluturimet.
Ndërkohë, kompanitë ajrore kanë nisur të reflektojnë kostot te pasagjerët, duke rritur çmimet e biletave dhe tarifat shtesë. Parashikohet që çmimet e fluturimeve të rriten me 5 deri në 10 për qind në periudhën e verës.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse kriza zgjat, ndikimi do të jetë i dyfishtë: më pak fluturime dhe çmime më të larta, pikërisht në kulmin e sezonit turistik. /skyweb.


