Irani paralajmëron: Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet derisa SHBA-të të heqin bllokadën detare

Irani ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të mbyllet duke filluar nga kjo pasdite dhe do të qëndrojë e tillë derisa Shtetet e Bashkuara të heqin bllokadën detare ndaj anijeve dhe porteve iraniane.
Sipas një njoftimi të Marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të transmetuar nga televizioni shtetëror Press TV, vendimi vjen si reagim ndaj, sipas tyre, mosrespektimit të marrëveshjes së armëpushimit nga ana e SHBA-ve.
Në deklaratë thuhet se, megjithëse më herët ishte lejuar kalimi i anijeve civile përmes kësaj rruge strategjike, disa prej tyre kishin kaluar vetëm në koordinim me forcat iraniane. Garda Revolucionare theksoi se çdo lëvizje e anijeve në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit do të konsiderohet shkelje dhe paralajmëroi se mjetet detare që nuk respektojnë urdhrat mund të bëhen objektiv.
Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Amerika lidhur me këtë deklaratë.


