Dronë izraelitë të montuar në Serbi? Vuçiç njofton planin edhe për tri të tjera

Bota

Dronë izraelitë të montuar në Serbi? Vuçiç
Serbia ka hapur një fabrikë të re për montimin e dronëve të projektuar në Izrael, në kuadër të bashkëpunimit të saj me industrinë izraelite të mbrojtjes.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mori pjesë në inaugurimin e impiantit, i cili pritet të punësojë rreth 100 persona dhe të prodhojë pajisje për Forcat e Armatosura të Serbisë, si edhe për ushtritë e vendeve të tjera.

Fabrika është ngritur në bashkëpunim me kompaninë izraelite Elbit Systems dhe kompaninë shtetërore serbe të industrisë së mbrojtjes Yugoimport SDPR. Vuçiç kishte njoftuar më herët se Serbia synonte prodhimin e dronëve luftarakë në bashkëpunim me Izraelin.

Presidenti serb deklaroi se planet e bashkëpunimit me partnerët izraelitë janë më të gjera dhe se pritet hapja e të paktën tri fabrikave të tjera në territorin e Serbisë.

Autoritetet nuk dhanë shumë detaje mbi procesin e prodhimit. Sipas Vuçiçit, gazetarët nuk u ftuan të vizitonin impiantin për shkak të konfidencialitetit të prodhimit.

ME TE LEXUARAT