Elita evropiane në dosjet e Epstein, nga Macron e Le Pen tek ish-kryeministri norvegjez

Të dhënat në dosjet e Jeffrey Epstein tregojnë se figura të elitës evropiane ruajtën kontaktet me të edhe pas pranimit të fajit prej tij në vitin 2008, që çoi në dënimin me burg për shfrytëzim prostitucioni dhe minorenësh.
Por kush janë disa nga figurat më të rëndësishme politike të kontinentit të vjetër dhe në ç’mënyrë janë implikuar ata?
Emmanuel Macron. Shumë postime në rrjetin “X” sugjerojnë se presidenti kërkoi këshilla biznesi nga Epstein kur ishte ministër i Financave dhe Ekonomisë së Francës.
Emri i Macron del në 211 dokumente, edhe pse shumica e tyre janë pjesë gazetash dhe diskutime për politikën franceze, që nuk e përfshijnë shefin e pallatit Elize në rrethin e ngushtë të Epstein.
Børge Brende. Janë të shumta dokumentet që konfirmojnë se ish-ministri i Jashtëm norvegjez kishte në plan të vizitonte kompleksin e Epstein në Manhatan në qershor të 2019-s.
“Mezi po pres. Pak sushi do të ishte shumë mirë”, ka shkruar Brende në një mesazh, edhe pse nuk ka prova që palët të kenë diskutuar për femra, apo që ish-kryediplomati të ishte përfshirë në krime.
Thorbjørn Jagland. Ka prova të qarta për takimet dhe komunikimet mes Epstein dhe ish-kryeministrit norvegjez, gjatë kohës që ai ishte sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës.
Në një prej mesazheve, Jagland i shkruan ish-financierit famëkeq se kishte qenë në Tiranë, ku vajzat sipas tij ishin “të jashtëzakonshme”.
Marine Le Pen. Shumë postime në rrjetin “X” sugjerojnë se emri i politikanes ekstremiste franceze ka dalë në dosjet e Epstein, ku etiketohet si një “aset i Rusisë”.
Këto pretendime e kanë origjinën nga një mesazh i shkëmbyer mes gazetarit amerikan Michael Wolff dhe Epstein.
Miroslav Lajčák. Ish-ministri i Jashtëm sllovak ka diskutuar me Epstein për gratë në disa raste, përfshirë në një mesazh të 2018-s, ku thoshte: “Përshëndetje nga Kievi! Vajzat këtu janë më të bukura se kudo”.
Me pak fjalë, përfaqësuesit e elitës politike evropiane në dosje janë të shumtë, por se cili do të jetë impakti që këto dokumente do të kenë tek ata, kjo mbetet për t’u parë.


