EMRAT/ Ndërtuan pa leje në një tokë publike në Ksamil, arrestohen 4 persona, shpallet në kërkim një tjetër
4 shtetas të identifikuar si Ervis Pashaj, Robert Musej , Myqerem Muhametaj, Albano Avda janë arrestuar nga Policia e Sarandës pasi ndërtuan pa leje në një tokë publike në Ksamil. Gjithashtu shpallet në kërkim edhe shtetasi Arbert Pole i dyshuar si personi që i punësoi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftim i Policisë:
Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ushtruar kontrolle në Ksamil, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe si rezultat, më datë 04.09.2025, në rrugën “Riviera”, Ksamil, u konstatua ndërtimi i 2 objekteve me konstruksion blloqe betoni, të papërfunduara, në tokë publike, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
• E. P., 36 vjeç, R. M., 34 vjeç, M. M., 47 vjeç, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Sarandë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 42 vjeç, banues në Ksamil, i dyshuar si personi që kishte punësuar shtetasit e lartpërmendur për të ndërtuar pa leje në tokë publike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.