Paqe me kushte ose luftë totale, Putin: Garantojmë Zelenskin po erdhi në Moskë
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se çdo prani e trupave perëndimore në territorin e Ukrainës do të shihet si shënjestër legjitime për forcat ruse.
Gjatë fjalës së tij në Forumin Ekonomik Lindor (EEF) në Vladivostok, ai paralajmëroi se një vendim i tillë do të kishte pasoja serioze për sigurinë ndërkombëtare.
“Nëse trupat do të shfaqeshin atje, veçanërisht tani gjatë luftimeve, ne i konsiderojmë ato objektiva legjitime. Prania e tyre nuk do të ishte e favorshme për paqen afatgjatë”, tha Putin.
Putin u shpreh i gatshëm për një takim me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke propozuar Moskën si vendin më të përshtatshëm për zhvillimin e bisedimeve.
“Nëse pala ukrainase dëshiron vërtet këtë takim, ne jemi gati. Le të vijnë në Moskë. Ne do të garantojmë kushtet e punës dhe sigurinë, 100%,” tha Putin, duke i cilësuar kërkesat e Kievit për zhvillimin e takimit në një vend të tretë si “të tepërta”.
Putin theksoi se nëse arrihet një marrëveshje për paqe afatgjatë, Rusia do ta respektonte plotësisht, dhe në atë rast, nuk do të kishte asnjë nevojë për praninë e trupave të huaja në territorin ukrainas.
“Nëse arrihet paqe, qëllimi i pranisë së trupave të huaja zhduket. Askush nuk duhet të dyshojë në përkushtimin tonë për të respektuar marrëveshjet”, deklaroi ai.