Pse u ekzekutua Kristian Kola? Misteri i atentatit mafioz ndaj 34-vjeçarit

Aktualitet
Pse u ekzekutua Kristian Kola? Misteri i atentatit mafioz ndaj

Ekzekutimi mafioz i Kristian Kolës mbrëmjen e së enjtes në Shkodër vazhdon të mbetet pa autor dhe pa një pistë të qartë hetimore.

Krimi ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, përballë dhjetëra dëshmitarëve dhe nën vëzhgimin e shumë kamerave sigurie. Viktima ndodhej ulur në një tavolinë jashtë një lokali, kur u qëllua me breshëri plumbash. Edhe pse tentoi të largohej, ai nuk mundi t’i shpëtonte atentatorëve. Autori, i maskuar dhe i pajisur me skafandër, u largua me motor së bashku me një bashkëpunëtor.

Policia ka sekuestruar pamje filmike ku shihen dy autorët dhe mjeti që përdorën, por deri tani nuk është ngritur asnjë pistë konkrete. Familjarët e viktimës nuk kanë dhënë dëshmi që ndihmojnë hetimin. Sipas burimeve, Kola nuk ka pasur precedentë penalë dhe merrej me një kompani ndërtimi së bashku me të atin, me të cilin po kryente punime në kinemanë e qytetit.

Po verifikohen të gjitha kontaktet e tij, lëvizjet e fundit dhe udhëtimet jashtë vendit, megjithatë deri më tani nuk ka prova që ta lidhin me aktivitete kriminale. Autoritetet kanë marrë “kartelat” e personave që kanë pasur shoqëri me të dhe po analizojnë komunikimet e telefonit të tij. Dëshmia e babait, me të cilin Kola ka pasur më shumë kontakte, pritet të jetë vendimtare për itineraret e tij ditët e fundit.

Sipas policisë, viktima dyshohet se është ndjekur për disa ditë para atentatit. Një motor i dyshimtë është konstatuar në disa zona të Shkodrës para ngjarjes, duke përforcuar pistën e një plani të mirëorganizuar. Hetuesit po analizojnë dhjetëra kamera sigurie për të gjetur prova të reja.

Ngjarja ndodh vetëm pak ditë pas një tjetër vrasjeje në qytet, ku një person vrau kushëririn e tij, duke pretenduar vetëmbrojtje. Seria e krimeve të fundit ka rikthyer frikën dhe pasigurinë në Shkodër, ndërsa autoritetet ende nuk kanë zbardhur ekzekutimet mafioze.

ME TE LEXUARAT