"Jam gati të shkoj në Tiranë e të drekoj me Edi Ramën" / Kreu i Reform UK pas përplasjeve me kryeministrin

Pas përplasjeve të fundit në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Reform UK, Nigel Farage, mbi çështjen e emigrantëve shqiptarë në Britani, kreu i partisë britanike ka lëshuar një tjetër deklaratë provokuese.
Në një prononcim të publikuar nga The Telegraph, Farage tha se planifikon të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’u ulur në një drekë me Ramën.
“Do të deportojmë kriminelët e huaj. Do të shkoj për një drekë, brenda disa javësh, me kryeministrin e Shqipërisë. Ndoshta do të rezervoj një avion shumë të madh dhe do të marr disa me vete – ende nuk jam i sigurt,” u shpreh Farage me ironi.
Ai shtoi se qeveria e tij, nëse vjen në pushtet, do të ndalojë anijet me emigrantë brenda dy javësh:
“Ne do të ndalojmë atë që është kërcënim për sigurinë kombëtare, rrezik për vajzat dhe gratë në rrugët tona. Nuk mund të hysh ilegalisht në Britani dhe të qëndrosh. Ne do të bëjmë atë që bën çdo vend normal: ndalim anijet dhe deportim të menjëhershëm.”