Goditet rrjeti i trafikut të drogës Belgjikë–Spanjë–Itali: 28 nën hetim, sekuestrohen 60 kg drogë dhe mbi 76 mijë euro

Autoritetet italiane kanë goditur sot një rrjet droge të operuar kryesisht nga shtetas shqiptarë, me bazë në Bolzano, duke ekzekutuar 28 masa sigurie ndaj personave të dyshuar në disa zona të vendit.
Operacioni “DAKU” është zhvilluar në orët e para të mëngjesit dhe është koordinuar nga strukturat hetimore në Bolzano, me përfshirjen e disa qyteteve të tjera si Trento, Venecia, Verona, Vicenza, Brescia dhe Trieste. Në terren kanë marrë pjesë edhe repartet për parandalimin e krimit dhe njësitë e qenve antidrogë.
Nga 28 personat nën hetim, 10 janë vendosur në burg dhe rezultojnë rezidentë në provincën e Bolzanos. Tetë të tjerë janë në arrest shtëpie, ndërsa për 10 persona është caktuar detyrimi i qëndrimit në zona të caktuara, edhe në provinca të tjera si Barletta-Andria-Trani, Monza Brianza, Pordenone dhe Sondrio.
Masat janë firmosur nga Gjykatësi për Hetimet Paraprake i Gjykatës së Trentos, pas një hetimi të gjatë dhe kompleks të drejtuar nga Prokuroria Antimafia, që kishte në fokus trafikun kombëtar dhe ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Hetimi ka nisur në qershor të vitit 2023, pas arrestimit të tre personave dhe sekuestrimit të mbi 1 kilogrami kokainë. Më pas, përmes një pune të gjatë me survejime, ndjekje dhe përgjime teknike, hetuesit kanë arritur të rindërtojnë të gjithë strukturën e organizatës dhe mënyrën si operonte ajo në territor.
Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar në flagrancë 22 persona dhe janë sekuestruar sasi të mëdha droge, konkretisht 34 kilogramë kokainë, 23 kilogramë marijuanë dhe 5.6 kilogramë hashash. Po ashtu janë sekuestruar rreth 76 mijë euro cash, që dyshohet se vijnë nga aktiviteti i shitjes së drogës, si dhe një armë zjarri.
Në total, hetuesit kanë dokumentuar rreth 150 episode të shitjes së drogës, çka sipas tyre tregon për një aktivitet të vazhdueshëm dhe të mirëorganizuar.
Sipas dosjes hetimore, organizata kishte një strukturë të qartë dhe role të ndara mes anëtarëve, duke përfshirë furnizues, transportues, ruajtës dhe shpërndarës. Ajo kishte gjithashtu kapacitet logjistik dhe ekonomik për të garantuar furnizim të vazhdueshëm me sasi të mëdha droge.
Droga siguronte kryesisht nga Belgjika dhe Spanja dhe transportohej drejt Italisë me makina të modifikuara, të pajisura me hapësira të fshehta, ku në çdo rrugë mund të transportoheshin deri në 10 deri në 15 kilogramë.
Për të shmangur hetimet, anëtarët e grupit përdornin metoda të ndryshme, si numra telefoni të rremë, komunikime të koduara përmes platformave online dhe teknologjive VoIP, si dhe vende të fshehta për ruajtjen, përpunimin dhe shpërndarjen e drogës.
Përveç grupit kryesor, hetimi ka zbuluar edhe pesë grupe të tjera që vepronin paralelisht në territor. Një prej tyre përbëhej nga persona që jetonin prej vitesh në Bolzano dhe furnizonin tregun me kokainë me pastërti të lartë, deri në 85%.
Një tjetër grup përbëhej nga të rinj rreth të njëzetave që merreshin kryesisht me shpërndarjen me pakicë. Në Merano operonte një grup tjetër aktiv në kokainë dhe marijuanë, me lidhje në Spanjë, ndërsa drejtuesi i tij rezulton i arratisur në Barcelonë.
Një grup tjetër siguronte marijuanë nga Lombardia në sasi që arrinin rreth 10 kilogramë për çdo furnizim, ndërsa një i pestë përbëhej nga të rinj nga Bolzano që shisnin kokainë dhe hashash dhe në disa raste mbanin armë për të mbledhur borxhet. Gjatë një kontrolli është sekuestruar edhe një pistoletë gjysmë-automatike.
Autoritetet italiane theksojnë se hetimi vijon dhe se, në bazë të parimit të prezumimit të pafajësisë, fajësia e personave do të përcaktohet përfundimisht vetëm nga gjykata./Shqiptarja


