Berisha i paturp, shpërthen Bamir Topi: Mashtrime për 21 Janarin dhe puçin e shtetit

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ftuar në studion e emisionit “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj ka folur për ngjarjen tragjike të 21 janarit të vitit 2011, ku katër protestues u vranë në Bulevardin përpara Kryeministrisë.
Ai tha se protagonistë ishin të gjithë në ngjarjen e 21 Janarit, përfshirë edhe Berishën.
Pjesë nga biseda:
Pranvera Borakaj: Ishte 21 janari ngjarja më e rëndë, ku ju dhe Berisha ishit protagonistë?
Bamir Topi: Protagonistë ishin të tjerë. Por ishte një ngjarje e rëndë, një ngjarje e rëndë në tragjizmin që ka kaluar Shqipëria. Çdo institucion i pavarur, si institucioni i Presidencës, por edhe drejtësia, tentuan të jenë shumë objektivë në ngjarje, të mos jenë pjesë e përplasjes politike. Aty ishte një Komision Hetimor parlamentar që akuzonte presidentin e kohës si kryetar të grushtit të shtetit. Sot pas 15 vitesh, nuk e di a kanë patur kohë mendjet e nxehta për t’u ftohur pak dhe për t’i ardhur turp për atë që ka ndodhur në politikë, për akuzat për ndërtimin e komisioneve inkuizitore. Të akuzosh kryetarin e shtetit për realizim të grushtit të shtetit është një absurditet në rradhë të parë, e dyta ka të bëjë me presionin që i bëhej kryetarit të shtetit dhe institucionet për nxjerrjen e të vërtetës. E vërtetë e cila ende s’po del plotësisht.
Pranvera Borakaj: Si ka mundësi?
Bamir Topi: Politikisht ka dalë. Kur unë fillova të shoh ata që i konsideroj “të paturpë” ta interpretojnë 21 janarin me të vërtetat e tyre të mashtrimit, më detyruan që të shkruaj të vërtetat e mia. Ata filluan ta shkruajnë historinë sipas të vërtetave të tyre të rreme, më detyrann të them edhe unë të vërtetat e mia, dhe ato janë në libër./vizionplus


