Irani kundër bllokadës detare të SHBA-së: Armëpushimi nuk ka kuptim nëse vazhdojnë masat shtrënguese

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të zgjatur armëpushimin me Iranin ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me heqjen e bllokadës detare dhe ndalimin e armiqësive në rajon, përfshirë Libanin.
Në një reagim në rrjetin social X, Ghalibaf tha se një armëpushim i vërtetë nuk mund të ekzistojë ndërsa vazhdojnë, sipas tij, “bllokadat detare dhe presioni ekonomik global”, duke shtuar se duhet të ndalet edhe “nxitja e luftës nga sionistët në të gjitha frontet”.
Ai theksoi gjithashtu se rihapja e Ngushticës së Hormuzit për lundrim nuk mund të ndodhë për sa kohë që armëpushimi shkelet.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një operacion ushtarak kundër Iranit më 28 shkurt, ndërsa Teherani reagoi duke kufizuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit për anije të lidhura me SHBA-në, Izraelin dhe vendet që mbështetën operacionin.
Më 21 prill, Donald Trump njoftoi zgjatjen e një armëpushimi të përkohshëm me Iranin, por Teherani më pas deklaroi se nuk e njeh këtë zgjatje të njëanshme dhe do të veprojë sipas interesave të tij.

