Shtëpia e Bardhë: Trump nuk ka vendosur afat për Iranin për marrëveshje

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka deklaruar se presidenti Donald Trump po i ofron “fleksibilitet të kufizuar” Iranit në kuadër të zgjatjes së armëpushimit, duke e cilësuar regjimin në Teheran si të “diskredituar plotësisht”.
Sipas saj, situata aktuale përfaqëson një përplasje mes pragmatistëve dhe vijës së ashpër brenda Iranit, ndërsa SHBA kërkon një qëndrim të unifikuar nga pala iraniane.
Leavitt theksoi se nuk është vendosur ende një afat i saktë për pranimin e propozimeve nga Irani, duke shtuar se vendimmarrja do të varet nga presidenti amerikan.
Ajo konfirmoi gjithashtu vijimin e operacionit “Economic Fury”, të cilin e përshkroi si një fushatë presioni ekonomik ndaj Iranit, përmes masave dhe bllokadës detare që synojnë kufizimin e aktiviteteve tregtare të Teheranit.
Sipas saj, SHBA po vazhdon të ushtrojë presion të fortë ekonomik ndaj Iranit në kuadër të strategjisë së saj aktuale.


