Irani paralajmëron! Nëse SHBA-të pushtojnë ishullin Kharg, do të ndalojmë qarkullimin e anijeve në Detin e Kuq

Irani po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së qarkullimit në Ngushticën Bab al-Mandeb nëse Shtetet e Bashkuara pushtojnë Ishullin Kharg.
Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), duke cituar një burim ushtarak shkruan se çdo veprim ushtarak amerikan kundër Ishullit Kharg mund të shkaktojë një përshkallëzim të madh, duke goditur potencialisht sigurinë në Detin e Kuq dhe Ngushticën Bab al-Mandeb, si dhe sulme të mëtejshme ndaj infrastrukturës rajonale të energjisë.
I njëjti burim deklaroi se nëse Uashingtoni do të zbatonte kërcënimet e tij për të pushtuar këtë qendër strategjike të naftës, Irani do të përgjigjej me masa "të papara", duke pasur parasysh zhvillimet e tre javëve të fundit të konfliktit. Po ashtu, i njëjti burim ushtarak paralajmëroi se synimi i rrugëve të tjera ujore të rëndësishme, përfshirë Ngushticën Bab al-Mandeb dhe Detin e Kuq, është ndër opsionet që po shqyrtohen nga Irani dhe aleatët e tij, duke paralajmëruar se përballja mund të shtrihet përtej Ngushticës së Hormuzit.
Burimi shtoi se një sulm ndaj Kharg mund të ndërpresë përkohësisht prodhimin iranian të naftës dhe të shkaktojë hakmarrje kundër infrastrukturës së energjisë në të gjithë rajonin, duke rritur rreziqet për tregjet globale.
Burimi ushtarak për agjencinë Tasnim pohoi gjithashtu se forcat amerikane nuk do të ishin në gjendje të siguronin ishullin, në rast të një sulmi dhe mund të pësonin humbje "të papara që nga Lufta e Dytë Botërore", duke nënvizuar shkallën e mundshme të përshkallëzimit./Shqiptarja


