Kryebashkiaku i Budapestit parashikon humbjen historike të Viktor Orbanit, Karacsony: Një ndryshim i madh po vjen

Kryebashkiaku i Budapestit, Gergely Karácsony, pret një fitore të thellë të opozitës në zgjedhjet parlamentare në Hungari.
Në një intervistë për mediat vendase ai tha se 'një ndryshim i madh po vjen' dhe se pret një humbje historike për partinë në pushtet të Viktor Orban, duke e lidhur këtë me pjesëmarrjen rekord në votime.
“Skenarë të tillë janë gjithmonë të pafavorshëm për një parti që ka qenë në pushtet për 16 vite dhe që paraqitet si zgjedhja e sigurt,” u shpreh ai.
Sipas Karácsony, zgjedhjet janë tashmë të vendosura në një aspekt kyç: opozita e udhëhequr nga Péter Magyar pritet të sigurojë shumicën në Parlament, jo vetëm në vota.
Megjithatë, ai theksoi se mbetet ende e paqartë nëse kjo shumicë do të arrijë nivelin e dy të tretave, që do t’i lejonte opozitës të ndryshonte ligjet kryesore.
Karácsony shtoi se pret një fitore shumë të fortë të opozitës në Budapest dhe tha se ka marrë garanci se në rast fitoreje do të trajtohen problemet e kryeqytetit.


