"Bonusi i pensionistëve, sa 2 kile domate në muaj"/ Berisha: Kemi rrogat më të ulëta në rajon, në 2013 ishin më të lartat

Sali Berisha ka reaguar me akuza të forta ndaj Edi Rama lidhur me situatën ekonomike në vend.
Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Berisha tha se qeveria po jep një pasqyrë të pasaktë për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Ai e cilësoi bonusin për pensionistët si shumë të ulët, duke e krahasuar me vlerën e disa produkteve bazë.
Sipas tij, pagat në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në rajon, ndërsa situata ekonomike është përkeqësuar. Ai foli edhe për largimin e qytetarëve nga vendi, duke përmendur shifra të larta emigrimi gjatë viteve të fundit.
Berisha gjithashtu vuri në dyshim edhe të dhënat për investimet e huaja, duke thënë se një pjesë e madhe e tyre nuk janë investime të reja, por para që qarkullojnë brenda vendit.
Ai shtoi se prodhimi dhe eksportet janë në rënie, duke e përshkruar ekonominë si në vështirësi.
Në fund, ai e lidhi situatën ekonomike me politikat e qeverisë, duke thënë se rritja aktuale nuk reflekton zhvillim real për qytetarët.
Fjala e plotë e kreut të PD-së:
Mirëdita, të dashur qytetarë dhe qytetare. Në monologun e tij të mashtrimit javor, Edi Rama sërish u rrek, u përpoq t'ju bindë ju se ka rritur në mënyrë të ndjeshme rrogat dhe pensionet. E vërteta është që bonusi i pensioneve për 690 mijë pensionistë është ndër më qesharakët. Janë 2 kile domate në muaj. Kjo është shtesa e pensioneve sipas qeverisë aktuale. Përveç kësaj, rrogat sërish mbeten rrogat më të ulëta në rajonin tonë, ndërkohë që në vitin 2013, ato ishin rrogat më të larta të rajonit. Sot, ai paraqiti si një sukses të madh konventën e diasporës. Me këtë rast duke përshëndetur të gjithë shqiptarët e diasporës, kudo që janë, edhe ata që vijnë në këtë konventë, por u theksoj se mikpritësi juaj është një nga armiqtë më të egër të kombit shqiptar, të ekzistencës së tij, jo në dekada, por dhe më shumë. Ju rikujtoj të dashur shqiptarë të diasporës se vetëm në 10 vite të qeverisjes së tij, nga ky vend janë larguar 1.099.000 shqiptarë sipas Eurostatit dhe të gjithë këta vetëm në zonën e Shengenit, pa llogaritur zona të tjera. Pra të paktën 45 deri në 47% të shqiptarëve u larguan nga Shqipëria dhe sot Shqipëria ka atë lindshmëri që kishte 100 vite më parë. Ky zbatoi me përpikmëri platformën e Çubrilloviçit në këtë vend. Së fundi, foli për raportet e Bashkimit Europian. Sërish mashtroi. E vërteta është që IBAR, pas pesë diskutimesh në forumin përkatës të Bashkimit Europian, nuk u miratuar për shkak të bllokimit që Edi Rama i bëri arrestimit të Lubi Ballukut për të mbrojtur veten e tij dhe për shkak të bllokimit të hetimeve që janë bërë për akshin për të mbrojtur bashkëshorten e tij dhe rrethin e tij familjar. Pra, mund të themi se seriali i mashtrimeve të kësaj jave nuk ndryshonte nga të tjerët. Po kështu, foli për investimet e huaja, 1.6 miliardë euro. Duhet të theksoj se nga këto 1.6 miliardë euro sipas INSTAT-it, 800 milionë nuk janë investime të huaja, por janë reinvestime të parave shqiptare nga kompanitë e huaja që punojnë në Shqipëri. S'kanë asnjë gjë të përbashkët me investimin e huaj. Resti që është, 30% e tyre janë blerje nga shqiptarët të apartamenteve në Shqipëri. Kurse 18% mbeten gjithsej apo rreth më pak se 300 milionë euro janë investime direkte. Pra investimet e vërteta direkte në Shqipëri kanë rënë në nivelet e viteve 2004-2008 dhe janë ndër më të ultat e kohës. Sigurisht, blerja e apartamenteve është një investim, por një investim pa frut, i cili nuk sjell punësim, nuk sjell prodhim. Kështu që, edhe në këtë rast duhet të shtoj, prodhimi industrial është në recesion, prodhimi bujqësor është në recesion, eksportet kanë rënie dramatike. Ekonomia, rritja me të cilin rreh gjoksin Edi Rama, është një rritje që diktohet tërësisht nga taksat e larta dhe numri i madh i rrogëtarëve në borderot e shtetit.
POSTIMI I KRYEDEMOKRATIT SALI BERISHA:


